Fotot e postuara nga islamisti iraken, disa orë para batërdisë me makinë në autostradën e Berlinit

19/08/2020 16:40

Një terrorist i dyshuar islamist që plagosi gjashtë njerëz sot teksa tentonte të godiste me makinë sa më shumë motoçikleta e automjete në Berlin, vetëm disa orë më parë kishte postuar foto të vetes me makinën e përdorur në sulm.

30 vjeçari i identifikuar si Sarmad A, kishte postuar fotot në Facebook së bashku me komente ku fliste në mbrojtje të të drejtave të Palestinës, ‘martir’ apo ‘Allahu Akbar’ (Zoti është më i madhi).

Dy orë më vonë ai përplasi me makinë tre motoçiklistë në autostradën A100 në Berlin, duke lënduar rëndë dy prej tyre dhe të tretin në gjendje kritike.

Tre njerëz të tjerë pësuan plagë të lehta kur një prej motoçikletave u përplas me makinën e tyre në ecje.

Kur një nga motoçikletat u bllokua nën makinën e tij Sarmad doli jashtë duke thërritur ‘Allahu Akbar’ dhe më pas hapi qilimin e lutjes në rrugë.

Sulmuesi kishte vendosur gjithashtu një kuti të vjetër municioni në çatinë e makinës së tij, duke pretenduar se ishte bombë, teksa thërriste: “Askush të mos afrohet ose ndryshe do të vdisni të gjithë”.

Një oficer policie me origjinë arabe që erdhi në skenë, foli me Sarmad, e largoi nga makina dhe e arrestoi, thanë mediat vendase.

Prokurorët thanë se ai po kërkonte për motoçikleta për të goditur dhe përplasi dy prej tyre dhe një drejtues ‘scooter-i’.

Sarmad besohet se është një emigrant që banonte në një qendër refugjatësh në Berlin dhe njihej nga policia prej sjelljeve të kaluara ekstremiste si dhe të problemeve të shëndetit mendor.

Në një tjetër incident ai kishte shtruar qilimin e lutjes pasi kishte sulmuar oficerë të policisë.

Ndërsa në 2018 ishte dëbuar nga shtëpia ku banonte dhe ishte dërguar në një spital të shëndetit mendor, nga i cili ishte liruar pak me vone.

Policia tha se nuk ka prova se Sarmad është anëtar i organizatave terroriste.

FOTO GALERI
3/11
Foto e postuar disa ore para sulmit

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA