Situata në Shqipëri vazhdon të mbetet serioze dhe pa përmirësime të bilancit ditor të Covid-19. Të shtunën u regjistruan sërish gjashtë të vdekur, si pasojë e infektimit me Covid.
“Në dy spitalet Covid po vijojnë të trajtohen edhe 14 pacientë të cilët kanë qenë pozitivë me Covid19 dhe aktualisht janë negativizuar, megjithatë vijojnë të marrin trajtim spitalor për pasojat e sëmundjes.
Fatkeqësisht, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen në dy spitalet Covid, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, një 58 vjeçar nga Tepelena, një 71 vjeçar nga Durrësi dhe 4 qytetarë nga Tirana; një 50 vjeçar, një 54 vjeçare, një 67 vjeçar dhe një 70 vjeçar”.
Por, me shpejtësi rritet edhe numri i të infektuarëve. Nga 650 testime për të dyshuar të prekur nga Covid-19, 143 persona kanë rezultuar pozitiv, duke e çuar numrin e të prekurve aktivë nga ky virus në 3289 persona.
“Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive ditore është si vijon: 45 raste në Tiranë, 31 në Durrës, 17 në Korçë, nga 6 raste në Shkodër, Krujë, Vlorë, nga 4 raste në Elbasan, Lezhë, Lushnje, Tropojë, nga 3 raste në Berat, Gjirokastër, 2 në Kavajë, nga 1 rast në Kukës, Mat, Malësi e Madhe, Prrenjas, Memaliaj, Klos, Gramsh, Shijak. Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 51 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 3746, që nga fillimi i epidemisë”.
Ministria e Shëndetësisë kërkoi që jo vetëm personat konfirmuar pozitivë por edhe ata që janë të dyshuar apo që janë në pritje të përgjigjes së testit, duhet të qëndrojnë të izoluar në shtëpi, pasi janë burim për përhapjen e infeksionit.
Top Channel