Gjykata e Pogradecit ka caktuar masën e sigurisë arrest në burg me afat 30 ditë për Mariglen Topuzin, i cili u arrestua si një prej personave që ka lidhje me atentatin e kryer në hotelin “Voloreka” në 8 gusht.
Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura dhe zgjati dy orë, ndërsa nuk munguan debatet mes palëve. Prokuroria kërkoi lënien në burg pa afat të Topuzit, gjë e cila u kundërshtua nga avokati i tij mbrojtës me pretendimin se Topuzi në ditët kur kanë ndodhur dy sulmet ndaj hotelit nuk ka qenë i pranishëm madje për këtë ka pamje filmike.
“Unë i kërkova gjykatës të shpallë të paligjshëm arrestin në flagrancë dhe lirimin e menjëhershëm të klientit tim, në mungesë të plotë të provave që e implikojnë në ngjarjen e datës 8 gusht. I vura në dispozicion prokurorisë dhe gjykatës prova shkresore dhe filmike,të cilat provojnë se Topuzi në episodin e parë ndaj hotel “Volorekës” ka qenë në Golem. Ndërsa në datën 8 gusht, me dëshmi dhe prova filmike, provohet që i dyshuari ndodhej në banesë.”
Sipas avokatit, prej orës 15:00 të datës 7 gusht dhe mëngjesin e datës 8 gusht, kur u rregjistrua ngjarja, Mariglen Topuzi ka qenë në shtëpinë e tij.
“Topuzi në datën 7 ka qenë në një varrim në Buçimas dhe prej atij momenti nuk ka dalë nga shtëpia, pasi kishte nënën e sëmurë.”
Seanca, e cila zgjati 2 orë dhe sipas avokatit u shoqërua me debate të ashpra mes palëve në proces.
Mariglen Topuzi ka mbajtur qëndrim mohues ndaj akuzave duke mos pranuar përfshirjen në ngjarje. Sipas tij, ai u arrestua vetëm për shkak të konfliktit që ka pasur me pronarin e hotelit një vit më parë, për të cilin ka vuajtur dënimin. Ai e quajti veten viktimë.
Sipas avokatit, prokuroria nuk ka prova, por vetëm indicie.
“Procesi është i paragjykuar dhe veprimet e policisë të nxituara.”
Ditën e sotme, policia njoftoi se përmes një operacioni, në bashkëpunim me RENEA-n u bë i mundur arrestimi i organizatorit, Ilir Berberi dhe 3 bashkëpunëtorëve: Ilir Meçolli, Ardian Xhuti dhe Elvir Haxhia. Ndërkohë Meardi Berberi dhe Brian Syzo janë të shpallur në kërkim.
Top Channel