Një familje nga Durrësi po përballet me presionin e nxjerrjes në rrugë, pasi pronari i banesës, ku ajo jeton prej afro 4 dekadash, ka qenë një shtetas izraelit, pronat e të cilit u shtetëzuan pas vitit 1945.

Pas shumë vitesh heshtje për këtë pronë, në vitin 2019 me një vendim gjykate të formës së prerë, kjo banesë në Rrugën Tregtare të Durrësit kthehet te një trashëgimtare e shtetasit izraelit, ndërsa familja rrezikon të përfundojë në rrugë.

“Quhem Lulzim Osmani. Jam 70 vjeç dhe familja ime përbëhet nga 7 veta. Njëra nga mbesat është paraplegjike. Jetoj këtu që nga viti 1983, por pas kthimit të sistemit kur prona nisi të kthehej tek i zoti, askush nuk na trokiti në derë për banesën. Deri në vitin 1997, qiranë ma ka marrë shteti.”

Për të kundërshtuar vendimin, familja ka ngritur një padi në gjykatë duke kërkuar dhe pezullimin e ekzekutimit të vendimit për njohjen e pronësisë së banesës. Megjithatë këtë të mërkurë zyra e përmbarimit jo-publik kishte vendosur nxjerrjen forcërisht të Osmanëve nga banesa. Bërja publike e çështjes, shtyu deri më 1 shtator ekzekutimin e vendimit, ndërsa familja kërkon ndihmë për strehimin në pritje të gjykimit të mëtejshëm të rastit.

“E kërkoj të drejtën e strehimit si çdo qytetar. Këtë të drejtë ma jep kushtetuta. Këta nuk janë pronarët e vërtetë. Nuk provojnë as çfarë lidhjeje familjare kanë me Rafael Jakoelin.”

Një urdhër ministror i fundvitit 2013 për lirimin e banesave të ish-pronarëve nga qiramarrësit, u kërkon autoriteteve përgjegjëse shtetërore të sigurojnë strehimin në banesa sociale ose ndihmën me bonuse strehimi, kur në përbërje të familjes që duhet larguar nga banesa ka të moshuar mbi 70 vjeç dhe fëmijë, apo persona të sëmurë, si në rastin e kësaj familjeje në Durrës.

 

 

Top Channel