Shpërthimi në Bejrut/ Shkon në 135 numri i viktimave, mbi 4 mijë të plagosur

05/08/2020 20:00

Numri i të vdekurve nga shpërthimi i djeshëm në kryeqytetin e Libanit, Bejrut, është rritur në 135, njoftoi ministri i Shëndetësisë i vendit, Hamad Hassan.

“Numri i të vdekurve nga shpërthimi i djeshëm në Portin e Bejrutit është rritur në 135. Po ashtu, kemi 4.000 të plagosur dhe dhjetëra të zhdukur”, tha Hassan në një deklaratë për mediat.

Hassan tha se kanë rënë dakord për funksionalizimin e spitaleve fushore për trajtimin e të plagosurve, duke shtuar se ministria ka kërkuar përcaktimin e lokacioneve ku do të vendosen spitalet në fjalë.

Ndryshe, një zjarr në një depo që përmbante eksploziv në Portin e Bejrutit çoi në një shpërthim masiv të martën, duke shkaktuar dëme masive materiale në disa lagje të kryeqytetit.

Shpërthimi u dëgjua në gjithë qytetin dhe periferitë e tij.

Këshilli i Lartë i Mbrojtjes në Liban e ka shpallur Bejrutin qytet të goditur nga katastrofa dhe njoftoi gjendje të jashtëzakonshme në kryeqytet për dy javë.

Shpërthimi i së martës thellon problemet e vendit që tashmë vuante me muaj nga një krizë e rëndë ekonomike dhe polarizimi politik.

Shkaku i shpërthimit nuk është ende i qartë por një numër i zyrtarëve të portit të Bejrutit janë vendosur nën arrest shtëpiak, në pritje të një hetimi mbi shpërthimin e madh të së martës, thotë qeveria e Libanit.

Zyrtarët e lidhën shpërthimin me rreth 2.750 tonë nitrat amoniumi të konfiskuar që ishin ruajtur në një depo në port për gjashtë vjet.

FOTO GALERI
2/12

Top Channel