Sekuestrimi i pasurisë së Ylli Ndroqit/ PD: Mbështesim çdo hetim, apelojmë për transparencë. Pretendimet për sulm politik, shqetësuese

03/08/2020 21:27

Partia Demokratike ka shprehur qëndrimin përmes postimit të ish-kryetares së Komisionit të Medias, Albana Vokshi mbi urdhrin e SPAK për të sekuestruar pasuritë marramendëse të Ylli Ndroqit.

Ish-deputetja Albana Vokshi, thotë me një postim në facebook se PD mbështet çdo hetim, ndaj cilido, por apelon për transparencë.

Vokshi i ka quajtur shqetësuese pretendimet e avokatit mbrojtës të Ndroqit për sulme politike, ndërsa thotë se këto deklarata duhet të shqyrtohen me seriozitet.

“Partia Demokratike është në mbështetje të plotë të gazetarëve dhe stafit të RTV ORA dhe Ora News, duke i inkurajuar të vijojnë të palëkundur misionin e tyre në shërbim të publikut dhe interesit të qytetarëve”, shton më tej Vokshi.

Postimi i plotë:

Partia Demokratike ka ndjekur me vëmendje njoftimin e Prokurorisë së Posaçme për hetimin pasuror ndaj pronarit të grupit mediatik ORA z. Ylli Ndroqi.

Duke mbështetur çdo hetim, ndaj cilido, pa asnjë dallim dhe duke nxitur barazinë e plotë përpara ligjit, Partia Demokratike apelon për transparencë të plotë mbi këtë hetim, duke qenë se mund të vihet në rrezik serioz liria e medias.

Pretendimet e avokatëve mbrojtës për një sulm politik ndaj klientit të tyre janë shqetësuese dhe kërkojnë shqyrtim serioz.

Shpejtësia e hetimit prej vetëm prej 7 ditësh, nga nisja e hetimit deri në paraqitjen e kërkesës në gjykatë për sekuestrimin e disa mediave, vlen gjithashtu të sqarohet.

Dërgimi i forcave policore për të rrethuar RTV Ora dhe Ora News, duke ushtruar presion psikologjik mbi gazetarët dhe stafin hedh hije të forta dyshimi për mënyrën sesi u veprua, kohën kur u veprua dhe arsyet pse u veprua tani.

Partia Demokratike është në mbështetje të plotë të gazetarëve dhe stafit të RTV ORA dhe Ora News, duke i inkurajuar të vijojnë të palëkundur misionin e tyre në shërbim të publikut dhe interesit të qytetarëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA