Pavarësisht rasteve të shtuara me koronavirus e pavarësisht se në disa rajone në Spanjë kanë rinisur të aplikohen izolimet për shkak të pandemisë, në diskutimin për futbollin europian nuk ndryshon asgjë. Autoritetet katalanase kanë arritur të bindin UEFA-n për të zhvilluar në stadiumin Kamp Nou, ndeshjen e Ligës së Kampioneve mes Barcelonës dhe Napolit, e dyta mes tyre që sanksionon dhe kalimin në ‘Final 8’.
Alba Verges, shefja e departamentit të shëndetit në provincën autonome në Spanjë, tha se ndeshja nuk paraqet asnjë rrezik për lojtarët dhe stafin. Protokolli shëndetësor dhe numri i kufizuar i personave shoqërues që do të aplikohet për turneun elitar, ka bindur UEFA-n për ndeshjen, që të mos e largojë nga tempulli blaugrana.
Por në kampin e Napolit nuk e pranojnë ende këtë vendim. “Nëse kanë caktuar që finalet e Champions t’i luajnë në Portugali, dhe ato të Europa Ligës t’i zhvillojnë në Gjermani, mund të shkojmë dhe ne më 1/8 në çfarë do vendi tjetër.
Nuk e kuptoj pse duhet të shkojmë në një qytet që përfaqëson disa pika të mëdha kritike nga koronavirus” tha presidenti i Napolit, Aurelio de Laurentiis.
Top Channel