Nga Lum Gashi

Si fëmijë unë vetëm doja të dija të luaja futboll si shokët e mi. Ndonëse i gjallë dhe plot energji, fatkeqësisht me topin isha i plogët dhe i ngathët. Nuk ma donte as futbolli, as basketbolli. Mua më vinte vetëm të shkruaja. Shkruaja një poezi, e digjja. Shkruaja një tjetër, e shqyeja. Vetëm doja që të luaja futboll. Doja t’iu pëlqeja vajzave që i kisha simpati teksa më përcillnin në fushën e shkollës apo në livadhin e madh që ndodhej në anën e kundërt të rrugës buzë së cilës qe objekti ynë i shkollës.

Nuk e kam bërë mend se afër 20 vjet më pas do të më konfirmohej ndofta që gjëja e vetme të cilës duhet t’i blatohem është letërsia. Dhe kjo myzhde më erdhi në mënyrën më të çuditshme të mundshme. Përderisa pandemia e koronavirusit ka mbyllur në shtëpi të zhdërvjellëtit dhe të fortët që hanë botën, konkursi “Libri i Karantinës” ua ka çelur dyert shumë hermitëve, oshënarëve, introvertëve të ndrojtur e njerëzve fjalëshumë por të pa zë. Në këtë kohë ku shumicës ose u janë shuar ëndrrat, ose u janë ngrirë ato – mua më është realizuar një e kamotshme.

Shto këtu, konspektet e dy librave të tjerë fitues më erdhën thellësisht intrigues dhe joshës, e që e bën këtë konkurs dhuratën më të bukur për shkrimtarët aspirues.

Sa i përket romanit tim të shkurtër, ka qenë imperativë për mua që “I liri” të botohet brenda frymës së kohës në të cilën është shkruar, dhe një gjë e tillë fatmirësisht po ndodh. Në këtë shkrim jam munduar ta paraqes me realizëm të pakursyer – andaj dhe ngandonjëherë brutal – predikamentin e një individi të caktuar të klasës punëtore si dhe një pjesë të konsiderueshme të llafeve që plakin ditën e një qytetari të zakonshëm kosovar.

“I liri” është një libër mjaft i drejtpërdrejtë, por me simbolizëm të herëpashershëm të cilin e kam fshehur për zhytësit e letërsisë. Më lumturon pafundësisht fakti që ky libër do të botohet sepse njëherësh po më mundësohet mënyra e vetme se si unë mund të protestoj për popullin tim – përmes librit. Teksa me përulje kujtoj penën e Frashërve e Fishtës, Mjedës e Kadaresë, unë ju them: Faleminderit që më dhatë një copë truall në letërsinë shqipe!

Top Channel