Pala kosovare bëri të ditur se në Bruksel do të propozojë draftin e marrëveshjes finale Kosovë-Serbi.
Në këtë kuadër udhëheqësit politikë kosovarë, presidenti Thaçi dhe kryeministri Hoti, thanë se me Serbinë nuk do të ketë më dialog teknik, por vetëm dialog politik me qëllimin final njohjen reciproke.”
Qëllimi final në këtë proces është njohja reciproke dhe normalizimi i marrëdhënieve. Dialogu është vetëm politik. Të enjten është një takim në Bruksel ku do të jetë Koordinatori për Dialog – të cilin do ta emëroj së shpejti-për të hartuar draftin e marrëveshjes finale për njohje reciproke”, deklaroi kryeministri Avdullah Hoti.
Që Prishtina nuk zhvillon më dialog teknik me Beogradin e tha edhe presidenti Hashim Thaçi, duke e vlerësuar edhe kontributin e Shqipërisë në këtë proces. Por analistët politikë nuk duken shumë optimistë për një zgjidhje të shpejtë të një marrëveshjeje përfundimtare Kosovë-Serbi. Blerim Burjani tha për DW se “duke e përcjellë politikën me kujdes që po ofrohet nga BE, përmes Lajcakut, nuk ka edhe aq shumë optimizëm për zgjidhje përmes një ombrelle gjithëpërfshirëse të marrëveshjes. BE arriti suksesin më të madh e arriti me kodin telefonik 383 që i ofroi Kosovës dhe marrëveshjen IBM. Marrëveshje të tjera ishin mjaft të ngathëta në implementim”, thekson ai.
Sipas Burjani shpresa e vetme e Kosovës, mbeten Shtetet e Bashkuara për t’i dhënë fund konfliktit të ngrirë.”Kosovarët i dëshirojnë SHBA-të si ndërmjetësues të fortë të qëndrueshëm sepse, SHBA-ja di të përdorë diplomacinë e sanksioneve dhe amerikanet nuk lejojnë zvarritje të përjetshme të dialogut pa zgjidhje përfundimtare”, thotë analisti.
Top Channel