Anëtari i kryesisë së PDK-së, deputeti Enver Hoxhaj, e ka konsideruar të nxituar, pa qartësi dhe pa mbështetje të nevojshme politike e institucionale takimin e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti në Bruksel me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.
Hoxhaj tha në konferencë për media se PDK nuk është kundër dialogut, por është seriozisht kundër qasjes dhe mënyrës së gabuar se si Qeveria e Kosovës po i qaset dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai tha se takimi para dy ditësh në Bruksel tregoi se Qeveria e Kosovës nuk është e përgatitur politikisht dhe përmbajtesisht për dialogun dhe ajo hyri në një proces të tillë, pa platformë, pa strategji, pa konsensus, pa koordinim, pa përvojë për këtë proces, dhe pa asnjë ekspertë.
Sipas tij, takimi në Bruksel është vetëm goditje ndaj përpjekjeve të vazhdueshme të të gjitha partive politike në Kosovë për të ndërtuar një qëndrim të përbashkët karshi Serbisë.
“Ky është avazi i njëjtë i ndjekur edhe ish qeveria Kurti, e cila hartoi një listë të detyrave të shtëpisë pa koordinim me Amerikën jashtë, dhe pa unifikim të partive kryesore politike brenda. Takimi në Bruksel nuk është dashur të mbahet fare. Nëse Qeveria vetëm pak të kishte ide për dialogun, është dashur që të kërkoj që takimi të shtyhet deri në krijimin e rrethanave më të përshtatshme, si kthimi i Presidentit në Kosovë, koordinimi ndërinstitucional, arritja e konsensusit dhe përgatitja serioze dhe përmbajtjesore për këtë proces”, tha ai.
Hoxhaj tha se për herë të parë, delegacioni i Kosovës pranoi të qëndroj dhe ulet pa protokoll dhe i pabarabartë, ku ndërmjetësi i BE-së ishte ulur me palën tjetër, duke shtuar se kjo është foto e parë e një takimi jo-bilateral të kryeministrit të vendit që kemi nga të gjitha takimet në Bruksel, nga viti 2011.
“Në takimin e Brukselit u pa se kryeministri Hoti është mashtruar nga Serbia në përcaktimin dhe renditjen e temave. Të jap një shembull konkret, për herë të parë, është rikthyer në proces të dialogut tema e të zhvendosurve serbë nga Kosova, e cila është e mbyllur që më shumë se një dekadë, para 15 vitesh. Kosova i ka përmbushur të gjitha obligimet sa i takon të zhvendosurve serbë dhe një temë e tillë nuk ka qenë temë as në negociatat në Vjenë në vitin 2006-207, as në dialogun e Brukselit ”, tha ai.
Sipas tij, nga kjo temë, Serbia tenton që përmes numrave ‘artificial’ ta kthej Kosovën në vitet 2000 dhe ta paraqes si një vend ku nuk është mundësuar kthimi i serbëve në Kosovë.
Ai shtoi se temën e të pagjeturve, i dërguari special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajcak e quajti “simbolike’ duke e relativizuar përballë temave tjera, gjë që është shqetësuese.
“Kryeministri Hoti dhe Lajcak duket ta dinë që e vërteta për të pagjeturit e Kosovës është në arkivat e ushtrisë dhe policisë së Serbisë. Kjo çështje nuk është aspak simbolike por një plagë e hapur nga koha e luftës në Kosovë. Kryeministri Hoti nuk e njeh dialogun si proces, nuk i njeh temat e tij, nuk di se si përgadten temat e tij dhe as nuk ka ide se si negociohet dhe nëse dikush humb nga epilogu i negociatave të papërgatitura është Kosova”, tha ai, duke shtuar se para se ta shndërrojë dialogun në prioritet mbi prioritete, Qeveria Hoti do të duhej të kishte tri top prioritete në Kosovë, siç është dështimi në përballjen me pandeminë, mashtrimi për të krijuar një fond prej 1 miliard eurosh për rimëkëmbje ekonomike dhe mungesa e përkrahjes konkrete për punëtorët janë nevojë urgjente që kërkojnë reagim të menjëhershëm.
Top Channel