Aleanca “Ne mundemi” e drejtuar nga socialdemorkatët shpalli fitoren në zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme në Maqedoninë e Veriut, por tabloja post-zgjedhore për formimin e qeverisë së re, mbetet e mjegullt.
LSDM-ja e Zoran Zaevit siguroi 46 mandate, një shifër kjo shumë afër me 44 deputetët e marrë nga VMRO-DMPNE-ja, dhe jo e mjaftueshme për të qeverisur e vetme. 15 vendet që ka fitoi Bashkimi Demokratik për Integrim në parlamentin e ri nga ana tjetër, e vendosin partinë e Ali Ahmetit në pozicionin e “kingmaker-it”.
Asnjëri bllok nuk e arrin dot shumicën prej 61 ligjvënësish në Kuvendin me 120 vende të Maqedonisë së Veriut pa mbështetjen e BDI-së. Ahmeti vetë nuk e fshehu gëzimin që i fal fakti se vazhdon të mbizotërojë bllokun etnik shqiptar, i cili arriti të siguronte në total nga këto zgjedhje një numër rekord mandatesh, 32. “ Shqiponja u kthye”, deklaroi ai. BDI hyri në këto zgjedhje me theksin tek “mundësia e një kryeministri të parë shqiptar”, përmes promovimit të Naser Ziberit si kandidat për këtë post. Edhe pse gjasat për një skenar të tillë nuk ishin të mëdha, loja me kete ide qe një lëvizje e zgjuar nga ana e partisë më të madhe shqiptare në MV. Duke këmbëngulur se është koha të hiqet edhe “tabuja e fundit etnike”, BDI theksoi gjatë fushatës së nëse asnjëri bllok politik nuk e pranon Ziberin si kryeministër, partia nuk do të “lodhet” që të bisedojë me ta pas zgjedhjeve në negociatat për formimin e qeverisë së re. Tani pritet të shihet nëse do t`I qëndrojë vërtet kësaj linje. Përgjithësisht, partia e parë maqedonase në zgjedhje I është drejtuar partisë së parë fituese në radhët ë shqiptarëve për formimin e koalicionit të ri.
Këtë normë e pat shkelur ish kreu i Nikolla Gruevski, I cili kishte vendosur të ftonte në koalicionin qeveritar PDSH-në si përfaqësuese të votuesve shqiptarë, edhe pse ajo nuk e fitoi asokohe shumicën e votave tek elektorati shqiptar, duke cituar mungesën e një dispozite kushtetuese që të përcaktonte se partia më e madhe shqiptare duhet të jetë partnere në qeveri. Përderisa BDI këmbëngul tek posti I kryeministrit, nuk përjashtohet mundësia që Zaevi të tentojë farkëtimin e një aleance numrash me Besën e Bilall Kasamit, Aleancën për shqiptarët e Ziadin Selës dhe partinë e majtë maqedonase. Por nëse Ahmeti lëkundet tek çështja e kreut të ekzekutivit, atëherë nuk është cudi të rikthehet në qeveri sipas formatit të mëparshëm me një shqiptar si kryetar parlamenti. Ndërkohë me mbështetjen e shqiptarëve mund të marrë fuqi edhe VMRO-ja, e kështu loja e pushtetit, edhe pas votimeve të djeshme, vazhdon të mbetet e hapur në vendin fqinj.
Top Channel