Chelsea mori një goditje të fortë në kampionat teksa u mposht nga Sheffield-i dhe tani rrezikon të dalë nga zona Champions e të parakalohet nga Leicester e Manchester United.
Në Bramall Lane, Sheffield iu imponua skuadrës së Frank Lampard, teksa e theu 3-0 për t’uy ngjitur në vendin e 6. Sheffield e zhbllokoi rezultatin në minutën e 18 me McGoldrick. Goli ishte një dush i ftohtë për Chelsea-n që pas 15 minutash pësoi edhe golin e dytë me McBurnie. Sheffield i mbylli përfundimisht llogaritë e sfidës 13 minuta nga fundi i saj kur McGoldrik mposhti portierin Kepa për të shënuar golin e tretë për Sheffield dhe të dytin personal në këtë ndeshje për të marrë 3 pikë të merituara.
Në Spanjë, Barcelona nuk ka ndërmend të dorëzohet në garën për titullin me Realin e Madridit edhe pse është e ndërgjegjshme se nuk është më e favorizuar dhe se tashmë asgjë nuk varet më prej saj. Skuadra katalanase vuajti jo pak në fushën e Valladolidit por arriti ta mposhtë atë me rezultatin 1-0. Mjaftoi një gol i Arturo Vidal në pjesën e parë për Barcelonën për të marrë këtë fitore që e redukton në 1 pikë për momentin diferencën me Realin që do të luajë të hënën në fushën e Granadës.
Në Itali, vijon momenti i errët i Lazipos që pësoi humbjen e tretë radhazi ku ndëshkuesja e saj këtë radhë ishte Sassuolo që ishte në gjendje të fitojë me përmbysje në rezultat 2-1. Lazio mori avantazhin e ndeshjes me Luis Alberton në minutën e 33, por Sassuolo në pjesën e dytë i dha goditjen e madhe skuadrës së Simone Inzaghit me gola të Raspadorit dhe Caputos që shënuan dy golat e suksesit të kësaj skuadre duke bërë që të veniten shpresat e Lazios për t’iu afruar kreut të renditjes.
Krejt ndryshe ndodhi me Romën që mundi lehtë Brescian në Rigamonti 3-0. Sfida u vendos në pjesën e dytë kur verdhekuqtë shënuan të tre golat fillimisht me Fazion dhe më pas me Kalinic dhe Zaniolon me këtë të fundit që rigjeti golin pas 7 muajsh dhe tani gjendet e vetme në vendin e 5 ndërkohë që Brescia i afrohet akoma më shumë Serie B
Top Channel