Procesi i Berlinit një iniciativë e udhëhequr nga Gjermania, ndau fonde për vendet e Ballkanit perëndimor.
Shqipëria mori më pak fonde krahasuar me Bosnje Hercegovinën e megjithatë nuk po tregohet eficente t’i përdorë as ato me qëllim ndërtimin e hekurudhës Tiranë-Durrës me degëzim aeroportin e Rinasit.
Granti i akorduar nga bashkimi evropian posaçërisht për këtë hekurudhë është në shumën prej 35,4 milionë euro. Zhurmat e lokomotivave në stacionin e trenit në Tiranë i përkasin të shkuarës. Për të rivendosur linjën Tiranë Durrës me degëzim Rinasin, sipas projektit duhen mbi 90 milionë euro nga të cilat 44%, ose 35.4 milionë euro, janë akorduar nga BERZH dhe pjesa tjetër, kredi që do të paguhet nga qeveria shqiptare.
Ishte vetë kryeministri Edi Rama ai i cili vendosi kohën e fillimit të ndërtimit. Në fazën e parë të tenderit morën pjesë 6 kompani. Top Channel disponon një korrespondencë me e-mail nga zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës ku thuhet:
“Referuar Raportit te Vlerësimit te kryer nga ana e Konsulentit por edhe pas verifikimit te dokumentacionit teknik nga ana e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, konstatohet se nga ana e të gjithë ofertuesve ka mangësi ne dokumentacion ose në përmbajtje të tij, në ofertat e paraqitura.”
Por BERZH që ka dhënë kredinë në nuk pajtohet me konkluzionet zyrtarëve shqiptarë.
Sipas prezantimit dhe informacionit të sjellë, Banka nuk është në pozita për ta pranuar vlerësimin e komitetit pasi është në konflikt me themelet e prokurimeve në lidhje me të qenurit të drejtë dhe kostos efektive në përdorimin e fondeve publike përfshi rregullat e prokurimit të vetë bankës. Ne si bankë nuk gjejmë asnjë motiv substancial apo avantazh në anulimin e vijueshmërisë së këtij tenderi duke e rishpallur atë dhe ftuar përsëri tenderuesit e parakualifikuar.
Top Channel për këtë qëndrim të BERZH-it pyeti Ministrinë e Infrastrukturës e cila dha këtë përgjigje.
“Bashkëpunimi me BERZH-in ka qenë dhe vazhdon të jetë i shkëlqyer. Sigurisht debatet teknike janë pjesë konstruktive e procesit dhe mbi të gjitha fakt që bashkëpunimi po shkon shumë mirë është fillimi i procesit për pjesën e dytë të hekurudhës, Kashar-Tiranë dhe Stacioni i kryeqytetit. MIE dhe BERZH janë në partneritet të shkëlqyer jo vetëm për hekurudhën , por dhe për një sërë projektesh të tjera shumë të suksesshme.
Është mëse e qartë se zyrtarët shqiptarët kanë ngecur në labirinthin e dokumentacionit dhe procedurave të këtij tenderi ndërkombëtar pavarësisht se BE ka akorduar mbi 35 milion euro dhe pjesa tjetër është financuar nga BERZH. Kjo do të thotë se Shqipëria do të vijojë të jetë i vetmi vend në Evropë pa linja hekurudhore.
Top Channel