Pas më tepër se dy muajsh ndërprerje, është rikthyer futbolli në Kosovë, teksa sot është zhvilluar gjysmëfinalja e parë e Digitalb Kupës mes Prishtinës dhe Drenicës në stadiumin “Fadil Vokrri” të kryeqytetit.
Në një atmosferë të vakët, të diktuar nga mungesa e tifozëve për shkak të pandemisë Covid-19, Prishtina arriti të fitojë bindshëm 3-0 dhe të hedhë një këmbë në finalen e kompeticionit, pasi sfida e kthimit pritet të jetë vetëm një formalitet.
Sulmuesi 32-vjeçar Ahmed Januzi ishte protagonisti i vendasve në pjesën e parë, duke arritur të shënojë dy gola, ndërsa gjatë 45-minutëshit të dytë, Prishtina pati një mori rastesh shënimi, por nuk arriti të konkretizojë.
Drenica pati një mundësi për të rihapur llogaritë, teksa në minutën e 88’ fitoi një 11-metërsh, por Hyseni gaboi në ekzekutim, pasi topi i goditur prej tij, përfundoi jashtë kuadratit të portierit Bekaj, ndonëse ky i fundit ishte hedhur në krahun tjetër.
Vetëm një minutë pas këtij momenti, pas një krosimi nga krahu i djathtë prej mbrojtësit Mankenda, ishte Meriton Korenica që i vodhi kohën mbrojtjes dhe shënoi golin e tretë për Prishtinën, duke vulosur çështjen e kualifikimit që në ndeshjen e parë.
Sfida e kthimit është parashikuar të luhet më 17 qershor, ndërsa finalistja do të përballet me fituesen e çiftit Feronikeli-Ballkani.
Top Channel