Shtetet e Bashkuara po dënojnë ndërhyrjen e Kinës për të imponuar një ligj të ri për sigurinë në Hong Kong. Sekretari i Shtetit Mike Pompeo ka thënë se nëse ky ligj miratohet, do të jetë këmbanë vdekjeje për autonominë e atij territori. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Cindy Saine sjell më shumë hollësi.
Përleshjet shpërthyen të premten në Këshillin Legjislativ të Hong Kongut, ndërsa ligjvënësit pro-demokracisë protestuan kundër lëvizjes së Kinës për të imponuar ligje të sigurisë kombëtare në territorin gjysëm autonom. Masa e re do të ndalonte ndarjen dhe veprime që bien ndesh me qeverinë e Kinës.
Në Uashington, Sekretari i Shtetit Mike Pompeo i dënoi veprimet e Pekinit, të cilat mund t’i japin fund lirive politike që e kanë dalluar prej kohësh Hong Kongun nga Kina kontinentale, duke e quajtur atë një “propozim katastrofik”. Protestuesit në Hong Kong dhe ligjvënësit pro-demokracisë thonë se ligji për sigurinë i propozuar nga Kina do të nënkuptonte “fundin e Hong Kongut”. Disa ligjvënës amerikanë pajtohen. Rick Scott është senator republikan.
“Jam vërtetë i shqetësuar për të gjithë qytetarët e Hong Kongut. Kina komuniste e udhëheqr nga Partia Komuniste, dëshiron të heqë të drejtat e tyre themelore.” Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Morgan Ortagus tha për Zërin e Amerikës se administrata e Presidentit Trump e kupton se pas 40 vitesh përpjekje të botës për ti afruar ato në gjirin e saj, Partia Komuniste e Kinës ka refuzuar rendin ndërkombëtar.
“Ndërsa përpiqemi të gjejmë fusha për të punuar sëbashku, ne jemi të vetëdijshëm se Partia Komuniste e Kinës dhe kryetari Xi reagojnë vetëm ndaj forcës. Shtetet e Bashkuara kanë forcën të qëndrojnë përballë Kinës kur ata po shkelin angazhimet e tyre ndaj botës. Ne do ta bëjmë këtë.” Në Hong Kong të premten, udhëheqësja e territorit Carrie Lam, që është pro-Pekinit, u tha gazetarëve se qeveria e saj mbështet legjislacionin e planifikuar për të përmirësuar sigurinë kombëtare dhe do të zbatojë ligjin pasi të miratohet./VOA
Top Channel