Shembja e Teatrit Kombëtar, flet djali i NAIM FRASHËRIT: Isha pro! Babai donte një teatër të ri, gjunjët i kishte copë nga gozhdët e skenës

21/05/2020 16:54

Aktori Anil Frashëri, djali i Artistit të Popullit Naim Frashëri, flet në një intervistë për newsbomb.al lidhur me shembjen e Teatrit Kombëtar. Babai i tij, Naim Frashëri, një nga Themeluesit e Teatrit Kombëtar, ka lënë shumë kujtime të pashlyeshme në atë Teatër që u shemb.

Ne e pyetëm Anilin se si u ndje kur bashkë me teatrin ra edhe një pjesë e trashëgimisë së të atit por ai thotë se në memorien e tij, Teatri Kombëtar do mbetet jo si godinë por si shprehja më e madhe e emocioneve të babait dhe të familjes së tij gjithashtu.

INTERVISTA E PLOTË

-Në qendrimet tuaja duket se jeni pro shembjes së Teatrin Kombëtar. Pse?

Sigurisht në atë Teatër kam mbi 35 vjet të jetes time por dhe jetën artistike të babait tim, por duke parë degradimin e asaj godine dhe burimin e shumë sëmundjeve nga lagështia, kalbësia dhe të asnjë komoditeti për krijimtarinë artistike të aktorëve, isha pro prishjes së tij.
Babai juaj i nderuar ka lënë mjaft kujtime aty. Në memorien tuaj familjare a ka bërë ndonjë koment ai për këtë Teatër?

Babai im që shumë rrallë zihet në gojë, si një nga themeluesit te Teatrit kombëtar dhe Hamleti i parë që foli në gjuhën tonë të bukur Shqipe, ka patur dëshirë për një teatër të ri që në vitet ’60 dhe këtë e ka ngritur në autoritetet e asaj kohe por përgjigja ka qenë “s’ka para”!
Kur patë që godina u shemb, a ndjetë se ra edhe nje pjesë e trashëgimisë që babai juaj kishte lënë aty?

Sigurisht ajo godinë ishte një pjesë e madhe e jetës tonë si familje, pasi e ndiqnim babanë në rolet e tij, si grimohej, çfarë përdorte për shfaqjen dhe kryesoren lodhjen e tij, mbas çdo shfaqje aq sa, as për të na përqafuar, s’na perqafonte dot. Me një fjalë, ajo do mbetet në memorien tonë jo si godinë por si shprehja më e madhe e emocioneve të babait dhe tonat gjithashtu. Pra nuk harrohet. Sa për trashëgiminë mendoj se ajo ruhet në memorien tonë si familjare dhe në memorjen e atij spektatori që e ndoqi deri në fund të jetës së tij.

Ç’mendoni për protestën e Aleancës që ka kundërshtuar prej më shumë se 2 vitesh prishjen e TK?

Për protestat e aleancës së Teatrit mendoj se u ekzagjërua dhe po përdoret politikisht se përvec 2-3 që kanë lidhje me artin, asnjë tjetër nuk e përfaqëson atë dhe aq më pak të kenë parë më shumë se dy apo tre shfaqje.

Flas për pjesën më të madhe të tyre se ka dhe dashamirës të teatrit. Pra protestat e tyre nuk i shërbejnë Teatrit dhe artistëve por janë të injektuara politikisht, ndaj unë distancohem nga ata.

Jeni për ndërtimin e nje teatri të ri ashtu siç ka qenë apo për plan-projektin e ri të prezantuar nga kryebashkiaku i Tiranës?

Sa për ngritjen e nje teatri te ri siç ka qenë, jam absolutisht kundra sepse veten platea mund të quhej disi e rregullt, ndërsa skena dhe anekset e saj nuk përmbushnin asnjë kusht për teatër. Asnjë. Projekti i ri më duket ambicioz por duhen marrë patjetër mendimet e komunitetit artistik se ç’duhet apo hequr nga ai projekt. Si projekt është madhështor që i bën nder atyre që nuk rrojnë më, të tashmes dhe të ardhmes të Teatrit kombëtar.
Kryeministri Rama tha sot nga foltorja se babai juaj ka ndërruar jetë nga ftohja që mori në Teatër. A është e vërtetë kjo dhe si e komentoni këtë deklaratë të tij?

Gjithmonë në familje fliste për kushtet shumë të vështira në skenë, lagështia, i ftohti imadh, skena e kalbur etj. Çdo vit kalonte bronkopneumoni të rënda dhe kaloi një pleurit të rëndë dhe u shtrua në sanatorium. Kushtet e vështira të punës e kishin dëmtuar shëndetin e tij dhe ndikuan në ikjen nga kjo jetë.

Gjatë interpretimit të Hamletit gjunjët i kishte copë nga gozhdët dhe gllënçkat që kishte skena, sepse Hamleti binte shumë herë në gjunjë gjatë shfaqjes.

Keni një mesazh apo diçka të fundit që ju ngeli pa thënë?

Do t’u bëja thirrje komunitetit Teatror të mos përçahen dhe të shohin drejt për të mirën e tyre dhe spektatorëve, të tregojnë dinjitet, profesionalizëm dhe të rrinë larg akuzave e sharjeve, siç kam parë këto ditë nëpër media.

Të qendrojnë larg politizimeve të tyre. Arti që bëjnë i takon vetëm popullit dhe jo politikës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA