Demokratët, hetim shkarkimit të Inspektorit të DASH nga Presidenti

19/05/2020 03:16

Zyrtarë të Kongresit me njohuri për këtë çështje u thanë mediave amerikane se Inspektori i Përgjithshëm i Departamentit të Shtetit, i pushuar nga Presidenti Donald Trump po shqyrtonte pretendimet se Sekretari i Shtetit Mike Pompeo kishte një anëtar të stafit që kryente detyra personale, si p.sh. shëtitjen e qenit të tij. Gazeta Washington Post dhe kanali NBC News i njoftuan këto zhvillime të dielën vonë.

Përveç shëtitjes së qenit, zyrtarët thanë se zoti Pompeo e kishte ngarkuar anëtarin e stafit me marrjen e rrobave të tij nga pastrimi kimik dhe me rezervimet në restorante për zotin Pompeo dhe gruan e tij. Demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat kanë filluar një hetim për shkarkimin nga Presidenti Trump të inspektorit të përgjithshëm, një veprim që Shtëpia e Bardhë tha se ishte rekomanduar nga Sekretari Pompeo.

Senatori Bob Menendez dhe Ligjvënësi Eliot Engel i dërguan një letër të përbashkët Shtëpisë së Bardhë ku kërkojnë që zyrtarët e administratës të dorëzojnë deri të premten dokumentet që lidhen me shkarkimin. “Presidenti nuk mund t’i shkarkojë mbikqyrësit pa dhënë një arsye dhe arsyetim të duhur për Kongresin – të gjithë Kongresin. Arsyet sekrete nuk vlejnë”, tha Senatori Menendez të dielën.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi i tha të dielën emisionit të kanalit CBS News “Face the Nation” për shkarkimin e zotit Linick se është revoltuese kur largon dikë që është aty për të ndalur… shpërdorimet, mashtrimet, abuzimet ose shkeljet e tjera të ligjit që … mendohet se po ndodhin.

“Pra, përsëri, le të hedhim edhe një vështrim”, tha Pelosi. “Presidenti ka të drejtë të largojë nga puna çdo punonjës federal. Por fakti është, nëse duket sikur është në shenjë hakmarrjeje për diçka që po bën inspektori i përgjithshëm, kjo mund të jetë e kundërligjshme”. Republikanët kryesorë dolën në mbrojtje të Presidentit Trump.

Këshilltari i tregtisë i Presidentit Trump, Peter Navarro, i tha emisionit “This Week” të kanalit ABC News, se “unë mbështes çfarëdo që bën ky president përsa i përket vendimeve të tij për punësimin dhe pushimin nga puna”. “Ekziston një burokraci dhe ka shumë nga ata burokratë që mendojnë se u zgjodhën ata president dhe jo Donald J. Trump,” tha zoti Navarro, “Dhe ne kemi pasur një problem të jashtëzakonshëm me atë që disa njerëz e quajnë Shtetin e Thellë. Unë mendoj se është e përshtatshme, kështu që nuk e vajtoj humbjen”.

Senatori republikan Ron Johnson nga shteti Wisconsin, i tha kanalit CNN se ai mendonte se “jo të gjithë inspektorët e përgjithshëm janë të së njëjtës rëndësi” dhe tha se ata “shërbejnë sipas vullnetit të presidentit”. Presidenti Trump më parë kishte shkarkuar zotin Glenn Fine, i cili ishte duke mbikëqyrur përgjigjen e ndihmës financiare të qeverisë ndaj pandemisë së koronavirusit; zotin Michael Atkinson, i cili si inspektor i përgjithshëm i bashkësisë së inteligjencës amerikane luajti një rol në fillimin e hetimeve për shkarkimin e Presidentit Trump në fund të vitit të kaluar; dhe zonjën Christi Grimm, inspektore e Përgjithshme e Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore që Presidenti Trump kishte akuzuar për prodhimin e një “dosjeje false” për mungesat e furnizimeve mjekësore në spitalet amerikane që merren me pandeminë.

Zoti Linick u emërua në postin e inspektorit të përgjithshëm të Departamentit të Shtetit nga ish-presidenti Barack Obama, një demokrat që Presidenti Trump shpesh e kritikon. Pjesëmarrja e zotit Linick në procesin e hetimit për shkarkimin e Presidentit Trump ishte e kufizuar në informimin e disa komisioneve të kongresit dhe vënien në dispozicion ligjvënësve dokumentet nga Rudy Giuliani, avokati i presidentit./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA