Dionisin dhe Sebjanën, nuk e ndali pandemia e koronavirusit, për të realizuar ëndrrën e tyre të madhe, për t’u bërë burrë e grua.
Ndonëse ato kishin parashikuar një dasmë me 200 të ftuar, situata e krijuar, i detyroi ta realizonin në një lokal me ambient të hapur me 12 persona të ftuar. Mungesa më e madhe për ta në ceremoni, ishin dy motrat e Dionisit që ndodhen në SHBA dhe motra e Sebjanës që ndodhet në Kinë. Aktualisht në “Theth” për muaj mjalti, dyshja rrëfyen gjithçka për shikuesit e emisionit “Ftesë në 5” në “Top Channel”.
“Jo ne jemi të apasionuar pas natyrës dhe në këtë kushte ku jemi, dëshironim ti kalonim në natyrë dhe ku më bukur si Thethi. Ne kishim vendosur që do të martoheshim, kur pamë që nuk mundëm të realizonim me mbi 200 të ftuarit tonë, atëherë ne i kishim dhënë premtimet njëri-tjetrit dhe asgjë nuk e përmbys premtimin që bëmë, kështu që u martuam. Ne jemi njohur katër vite më parë.
Ne në fakt kemi një plan për veriun e Shqipërisë dhe më pas të shkojmë në zonën e Vremoshit. Edhe për efekt pune nuk mund të rrimë më shumë se shtatë ditë. Ndërsa dasma u bë në Tiranë në një ambient të hapur në natyrë, me numër të kufizuar të ftuarish. Ne kemi qenë 12 persona. Edhe pastori i kishës sepse ne jemi të krishterë dhe na ka martuar pastori. Ai na ka njohur që kur jemi njohur dhe kush më mirë se ai do ta bënte këtë gjë”, u shpreh Dionisi.
Nga krahu tjetër Sebjana shpjegoi disa detaje më shumë të martesës së tyre të veçantë.
“Në fakt unë kam qenë duke kërkuar online për fustan dhe një shoqja ime Entela më dha idenë për të qepur fustanin. Unë e kam porositur që në shkurt por në fund të prillit më ka ardhur. Për Dionisin kanë qenë motrat sepse janë në Amerikë dhe mua motra ime sepse është në Kinë. Ata kishin shumë dëshirë të merrnin pjesë dhe nuk erdhën dot, por me anë të platformës “Zoom”, na ndoqën dhe ato”, u shpreh Sebjana.
Top Channel