Rreth 36 milionë amerikanë janë regjistruar si të papunë që nga shpërthimi i epidemisë së koronavirusit në SHBA, në mesin e muajit mars.
Ekonomistët parashikojnë që niveli i papunësisë të rritet 15 për qind, dhe ndoshta deri në 20 për qind. Ky është niveli më i keq që nga Lufta e Dytë Botërore. Shumica e shteteve në SHBA kanë qenë në izolim të plotë, si masë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
Disa shtete kanë filluar ngadalë të rihapin bizneset dhe të tjerët po hartojnë plane për t’i dhënë fund bllokimit. Megjithatë, shumë amerikanë po hezitojnë të shkojnë përsëri në punë, ose të udhëtojnë dhe të hanë në restorante, nga frika e përhapjes së koronavirusit.
Shifrat e fundit të papunësisë vijnë dy javë pasi të dhënat treguan se ekonomia amerikane u tkurr 4.8 për qind në tremujorin e parë të vitit 2020. Sipas të dhënave të Universitetit John Hopkins, në Shtetet e Bashkuara, deri më tani, janë konfirmuar 1,391,238 raste të të infektuarve me koronavirusin e ri, që e shkakton sëmundjen COVID-19.
Top Channel