India nis gradualisht hapjen e sistemit gjigand të hekurudhave

11/05/2020 20:05

Një nga sistemet më të mëdha të hekurudhave në botë do të nisë “gradualisht” operacionet nga e marta, teksa India njoftoi zbutjen e izolimit të saj gjashtë-javor të koronavirusit.

Lëvizja vjen pasi qeveria është përballur me kritika për menaxhimin e situatës së punëtorëve emigrues brenda Indisë, miliona prej të cilëve punojnë qindra kilometra larg shtëpive në fshatra, duke u drejtuar te fabrikat dhe bizneset në qytete.

Por megjithë një nga bllokadat më të ashpra në botë, India ka shënuar rritje të rasteve me koronavirus që tashmë po shkojnë drejt 70,000.

Vendi me popullsinë e dytë më të madhe në botë ka shënuar 4,213 raste të reja dhe 97 vdekje në 24 orët e fundit, shifra më e madhe në një ditë. Numri i vdekjeve ka kaluar 2,200.

Rreth 30 itinerare hekurudhore do të nisen nga nesër prej kryeqytetit New Delhi drejt qyteteve të tjera si Mumbai, Bengaluru e Chennai, njoftuan hekurudhat indiane.

“Hekurudhat indiane do të nisin gradualisht udhëtimet e pasagjerëve nga 12 maji, dhe më vonë me shërbime të tjera në destinacione të shtuara. Do të jetë e detyrueshme mbajtja e maskave dhe kontrollet e pasagjerëve, prej të cilëve do të lejohen në tren vetëm ata pa simptoma”, tha në një deklaratë ministria e hekurudhave.

Rrjeti masiv hekurudhor indian transporton më shumë se 20 milionë pasagjerë në ditë në kohë normale, por është ndërprerë prej fundit të marsit kur u vendos izolimi.

Ministri Piyush Goyal tha se së shpejti do të vihen në dispozicion 300 trena të veçantë për punonjësit emigrues, shumë prej të cilëve kishin mbetur të bllokuar në zona të largëta pas vendosjes së karantinës.

Disa prej tyre ishin detyruar të nisnin në këmbë rrugën prej qindra kilometrash drejt shtëpisë, gjatë së cilës u raportuan vdekje nga lodhja apo aksidente të ndryshme.

FOTO GALERI
5/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA