Elefantët e uritur të kampeve të mbyllura turistike lëshohen në botën e egër

07/05/2020 21:55

Elefantë thuajse të ngordhur urie në kampet turistike të Tailandës, po lëshohet përsëri në botën e egër pasi kujdestarët nuk mund t’i shfrytëzojnë më për të fituar para.

Pandemia e koronavirusit ka lënë në mëshirë të fatit shumë rezervate kafshësh teksa kufizimet e udhëtimeve kanë goditur rëndë turizmin botëror.

Më shumë se 4,000 elefantë tashmë rrezikojnë të vdesin urie prej mungesës së të ardhurave teksa parqet turistike po detyrohen të mbyllen.
Këto vende ishin më parë nga atraksionet kryesore turistike në Tailandë e vende të tjera aziatike.

Por një grup prej rreth 100 elefantësh po kryejnë tashmë rrugëtimin prej më shumë se 100 km në ish-habitatin e tyre të egër, teksa një organizatë bamirësie po ndihmon me të ardhura për elefantët e mbetur prapa në parqe.

Fondacioni ‘Save The Elephant’ po ndihmon në rivendosjen e elefantëve në jetën e re jashtë rrethimit, duke i drejtuar ata në rajonin perëndimor të Mae Chaem në Tailandë.

Por megjithatë shpresat janë të pakta se kafshët që kanë jetuar të gjithë jetën e tyre në kopshte, mund të mbijetojnë në botën e egër.

Sadudee Serichevee zotëron katër elefantë dhe kishte ngritur një park zbavitjeje me kafshët që kishte blerë në fshatin e gruas së tij Mae Chaem. Por planet e tij u hodhën në ajër nga pandemia.

Ai thotë: “Fillimisht mendova se situata do të kthehej në normalitet për një ose dy muaj, por në fund të prillit e humba shpresën”.

Çifti ka vendosur t’i kthejë përsëri ata në vendin nga erdhën, pasi nuk mund të përballojnë kostot e ushqimit të kafshëve dhe të qirasë së tokës.

Katër elefanët konsumojnë më shumë se 200 kg bar dhe bimësi në ditë.

Sadudee dhe gruaja e tij kanë bindur dhe të tjerë të dërgojnë elefantët e tyre në të njëjtin udhëtim.

Grupi nisi rrugëtimin më 30 prill nga Ban Huay Bong dhe arritën dje në Mae Chaem.

Sadudee tha: “Këta elefantë nuk kanë pasur shansin të kthehen në shtëpi për 20 vjet ata duken të lumtur. Lëshojnë zhurma lumturie, vrapojnë në kepin pranë fshatit dhe luajnë me fëmijtë tanë”.

Muajin e shkuar Fondacioni “Save The Elephant” tha se rreth 1,000 nga elefantët e zbutur të vendit rrezikojnë të vdesin urie gjatë krizës së Covid-19.

FOTO GALERI
4/4
Pandemia e koronavirusit ka lënë në mëshirë të fatit shumë rezervate kafshësh

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA