Në “Shqipëria Live”, ishte e ftuar drejtoresha e Zhvillimit të Turizmit Rovena Moçka. Në studio u fol mbi vendimin më të ri të qeverisë për hapjen e bareve e restoranteve më 18 maj, vendim ky i ndërmarrë në vazhdën e masave lehtësuese të COVID-19.
Në vendim, thuhet se këto aktivitete të shërbimit do të hapen, por me rregulla strikte. Duke filluar nga fasha e orarit, e cila do të jetë deri në orën 17:30 dhe deri te reduktimi i tavolinave apo përshtatja e tyre në ambiente të hapura.
Gjatë fjalës së saj, Moçka e vendosi theksin mbi faktin se vendi ynë, është ende në një kohë pandemie, dhe e gjithë kjo e keqe nuk ka mbaruar ende. Ajo u shpreh se masat lehtësuese apo kufizuese, merren nga ekspertët mjekësorë. Deri më tani, Moçka thotë se duhet të gëzohemi që lokalet e baret do të hapen.
“Unë e kam parë letrën, sikundër është bërë publike e mediatike. Duhet të përmbajmë atë që thotë letra, që lidhet me fashën e orareve. Megjithatë këto masa, fashat, sikundër ishte dhe paketa e parë e masave shtrënguese, por edhe paketa e masave lehtësuese. Ato janë në autoritetin e plotë të ekspertëve të shëndetësisë. Pas pandemisë, do t’i referohet një kohë kur virusi të jetë larguar. Nuk ka mbaruar. Neve duhet të mësohemi të bashkëjetojmë me virusin, virusi nuk ka ikur. Logjika na thotë se janë ata që duhet të dëgjojmë dhe se janë ata që vendosin (u referohet ekspertëve mjekësorë). Ja arritëm ditës të flasim për hapjen e këtyre aktiviteteve. Ne nuk e kemi kaluar situatën e pandemisë. Nëse ka pamje si ato që iu referuat, përpos masave lehtësuese duhet të kemi parasysh kujdesin, sepse po jetojmë në një kohë të re. Fashat në mënyrën sesi janë prorpozuar vijnë nga ekspertët e mjekësisë. Nuk janë vetëm masa që janë marrë në Shqipëri, por edhe në botë nuk janë hapur bizneset”, tha Moçka.
Top Channel