Kosova aktualisht ka gjithsej 600 teste dhe pret këto ditë arritjen e 2,000 të tjerave për konfirmimin e rasteve me koronavirusin e ri, që shkakton sëmundjen COVID-19.

Këto të dhëna janë konfirmuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në Kosovë.

Që nga data 8 shkurt e këtij viti, e deri më 15 prill, në laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në Institutin e Shëndetit Publik të Kosovës janë testuar 3,720 mostra të dyshimta me virusin dhe janë vëzhguar rreth 5,000 raste të kontakteve që mund të kenë pasur rastet e konfirmuara.

Në Ministrinë e Shëndetësisë të Qeverisë së Kosovës dhe në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik në Kosovë [IKSHPK], nuk kanë dhënë ndonjë informatë se sa është numri aktual i testeve në Kosovë.

Por, sipas një komunikate për media të IKSHPK, të datës 13 prill, thuhet se deri më tani janë kontraktuar 11,250 teste, ndërsa në proces të prokurorimit është edhe kërkesa për 10,000 mijë teste tjera, për të cilat ka filluar procedura e nevojshme.

Po,sipas komunikatës, 2,500 teste të tjera janë kërkuar përmes Fondit të Kombeve të Bashkuara për Fëmijët [UNICEF] dhe një kërkesë tjetër për 3,500 teste i është dërguar Agjencisë për Zhvillim të Shteteve të Bashkuara [USAID], përmes Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Disa nga vendet e Ballkanit Perëndimor, duket se qëndrojnë më mirë në procesin e testimit. Sipas ueb-faqes Worldometers, e cila gjurmon rastet e koronavirusit, deri më 16 prill, Serbia ka testuar 3,008 persona në një milion banorë, Kroacia 4,691 persona, Bosnjë e Hercegovina 4,066, Maqedonia e Veriut 4,446 dhe Mali i Zi ka testuar 6,168.

Kosova nuk figuron në këtë ueb-faqe, por sipas një përllogaritjeje të thjeshtë, Kosova ka mbi 1,7 milion banorë dhe 3,720 teste, që i bie se janë testuar mbi 2,100 persona në një milion banorë. Më keq qëndron Shqipëria, me 1,584 persona të testuar në një milion banorë.

Edhe zyrtarë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, pranojnë se numri i testeve është i vogël, por sipas tyre, kjo varet nga kapacitetet ekzistuese.

Isme Humolli, zyrtare për emergjenca në këtë Organizatë, i tha Radios Evropa e Lirë, se kërkesa për teste të tilla ka nga të gjitha vendet e botës, prandaj edhe vonon ardhja e tyre në Kosovë.

Ahmeti: Nëse rriten rastet me COVID-19, mjekësia kosovare do të ketë probleme
Humolli vlerëson se me rritjen e numrit të personave të testuar, do të rritet edhe numri i qytetarëve të infektuar më koronavirusin e ri.

“Kjo nuk është në fajin e institucioneve, por është çështje e pamundësisë së ardhjeve me kohë të reagencave [substancë që ndikon në kryerjen e një reaksioni apo analize] që tashme janë blerë. Të gjitha testet që deri tash ka kryer Kosova, janë teste që ose janë blerë nga Ministria e Shëndetësisë ose janë dhuruar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Agjencitë janë duke u munduar që të blejnë numër më të madh këtyre testeve. Por, situata globale ka bërë që secili shtet të ketë kërkesa të mëdha. Dhe është shumë vështirë dhe merr shumë kohë për të arritur në Kosovë”, thotë Humolli.

Përveç mungesës se testeve, Kosova përballet edhe me mungesë të personelit mjekësor, të domosdoshëm për t’u marrë me pandeminë.

Në mungesë të pajisjeve, stafi mjekësor më i rrezikuari nga koronavirusi
Në Kosovë janë 22 epidemiologë për të gjithë vendin dhe 29 mikrobiologë. Ekspertët vlerësojnë se në kategorinë e parë, Kosova ka nevojë edhe për 17 të tillë dhe për 32 mikrobiologë të tjerë.

Gjithashtu, në Kosovë gjendet vetëm një laborator i Mikrobiologjisë Molekulare, i cili funksionon që nga viti 2009.

Ndryshe, deri më 16 prill, në Kosovë janë shënuar 423 raste të konfirmuara të virusit të ri, 10 raste vdekjeje dhe 74 pacientë të shëruar.

Ku të testoheni nëse keni simptoma?
Personi që dyshon se ka simptoma të virusit duhet të kontaktojë në numrin emergjent të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike: 038-200-80-800

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar këtë numër dhe nuk ka hasur në vonesa në komunikim. Rekomandimet për të trajtuar simptomat, janë dhënë sipas udhëzimeve zyrtare të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike./REL/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA