Koronavirusi ka ndezur një krizë globale të shëndetit publik, por edhe një krizë ekonomike dhe sociale.

Me këto fjalë, kryeministri italian, Giuseppe Conte, lajmëroi për paketën 400 miliardë euroshe në ndihmë të bizneseve në vendin e gjunjëzuar si asnjë tjetër në botë nga covid 19, që prej një muaji është vendosur në izolim të rreptë. Bashkë me një paketë të mëparshme prej 340 miliardë eurosh hua të mbështetura nga qeveria, kjo e fundit e çon në afro 800 miliardë euro fondin që Italia do të injektojë në ndihmë të ekonomisë, pavarësisht deficitit buxhetor, që ishte i rënduar edhe para krizës. Po vendet e tjera të botës, çfarë masash po marrin për të ndihmuar ekonomitë e tyre në mesin e kësaj krize të paprecedentë.

Në SHBA, me një votim unanim, të paprecedentë, në senat, u miratua një paketë ndihme 2 trilionë dollarëshe për të siguruar mbijetesën e ekonomisë që po rëndohet nga pandemia e koronavirusit. Legjislacioni përbën edhe paketën më të madhe të ndihmës në historinë amerikane dhe ka si qëllim të adresojë krizën e intensifikuar shpejt të koronavirusit që ka bërë që pjesa më e madhe e ekonomisë, të ndalet.

Japonia në anën tjetër, lancoi një paketë stimulimi prej 1 trilionë dollarësh ose sa 20 për qind e produktit të brendshëm bruto, ndërsa kryeministri Abe shpalli edhe gjendjen e emergjencës duke thënë se ekonomia e brendshme dhe ajo globale përballej me krizën më të madhe që nga lufta e dytë botërore.

Singapori ndërkohë, të hënën, njoftoi për një tjetër paketë 3.6 miliardë dollarëshe që kishte si qëllim të zbuste dëmet ekonomike nga kriza e shkaktuar nga koronavirusi. E kjo, ishte paketa e tretë stimuluese që bashkë me dy të tjerat kap vlerën e 41.7 miliardë dollarëve ose 12 për qind të GDP së vendit. Paketa e fundit ishte orientuar drejt bizneseve dhe ekonomive familjare dhe përfshin edhe një pagesë prej rreth 420 dollarësh amerikan për cdo banor të rritur të vendit.

Ndërkohë, edhe ministrat e financave të BE kanë diskutuar në një video-konferencë për të gjetur recetat për krizën dhe recesionin më të madh që nga lufta e dytë botërore. Kancelarja gjermane, Angela Merkel thotë se BE ndodhet para testit më të vështirë që nga themelimi i saj. 240 miliardë euro kredi paraprake për shtetet e BE do të vihen në dispozicion nga instrumenti financiar i Keizës ESM; banka evropiane e investimeve do të japë 200 miliardë euro nga rezerva e saj ndërsa Komisioni evropian ka krijuar një fond prej 100 miliardë eurosh për

të mbështetur sigurimet e papunësisë në shtetet anëtare. Ndërkohë që po diskutohet për të ashtuquajturat coronabonde, borxhe të përbashkëta të eurozonës, por ende nuk ka një vendim për to. Vende si Franca, Italia e Spanja, i mbështesin koronabondet, por ato kundërshtohen nga vendet nordike. Presidentja e KE, Ursula von der Leyen në anën tjetër flet për një plan marshall të ngjashëm me atë të 1948, kur SHBA investoi 12 miliardë dollarë (sot 100 miliardë dollarë) për të mbështetur Evropën pas luftës së dytë botërore.

Top Channel