Kosovë/ Thaçi pritet të takojë liderët politikë, Vetëvendosje thotë se zgjedhjet janë të paevitueshme

30/03/2020 08:09

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se këtë javë do të ftojë në takim për konsultime të gjithë liderët e partive politike, për të marrë opinionet e tyre në lidhje me formimin e Qeverisë së re.

Thaçi ka thënë se do të mundohen që në këtë gjendje në të cilën gjendet Kosova të evitojnë shpërbërjen e Kuvendit.

“Pas krijimit të situatës së re, rënies së Qeverisë dhe mocionit nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, nga e hëna duke respektuar ligjet e Kosovës dhe Kushtetutën në tërësi dhe përpikëri, do të fillojë konsultimet me liderët e partive politike, gjithashtu edhe me prezantimin e kritereve mbizotëruese për mundësinë e formimit të Qeverisë së re dhe mundësive të reja”, ka thënë Thaçi.

Sipas tij, fokusi do të jetë në çdo rrethanë të eliminohet mundësia për zgjedhje të reja apo shpërbërja e kuvendit.

“…propozimi im është të jetë mundësia e krijimit të Qeverisë së re, pra nga e hëna në mëngjes do t’i ftoj liderët e partive politike të dëgjoj opinionet e tyre dhe të prezantoj kriteret mbizotëruese për të formuar Qeverinë e re, në mënyrë që të mos ketë vakum institucional. Por Qeveria aktuale, në ikje është në detyrë dhe do të kryej punët që i takojnë me Kushtetutën dhe Ligjin”, kishte deklaruar ai.

Por, kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i ka quajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme të paevitueshme, duke thënë se përpjekjet e presidentit Hashim Thaçi për të formuar një qeveri të unitetit, janë të rrezikshme pasi shkel Kushtetutë.

“Vota e deputetëve më 25 mars kundër Qeverisë në Kuvendin e Republikës është votë që na drejton drejt kutive të votimit. Zgjedhjet e jashtëzakonshme janë të paevitueshme. Orvatjet e presidentit për të bërë Qeveri të ‘unitetit’ janë të rrezikshme sepse e shkelin Kushtetutën, gjegjësisht nenin 82 pikën 2 të saj”, thuhet në njoftimin e kësaj partie.

Lëvizja Vetëvendosje thotë se gëzon mbështetjen më të madhe që e ka pasur ndonjëherë dhe se në adresat e saja kanë mbërritur kërkesa e interesime si dhe janë bërë anëtarësime ‘online’ si asnjëherë më parë.

“Meqenëse zgjedhjet janë afër është detyrë e secilit prej nesh të punoj që të rritet organizata jonë. Legjitimiteti buron nga zgjedhjet. Zgjedhjet e fundit i ka fituar Lëvizja jonë e jo partitë e tjera. Nuk mund e nuk do ta lejojmë të vidhet vota për ndryshim. Deri atëherë, kujdes të shtuar e qëndrim të mbarë nëpër shtëpi. Qytetarët e vetizoluar nga virusi COVID-19 po vazhdojnë të jenë aktiv. Nuk ka sfidë më të rëndësishme se fitorja përballë këtij virusi, punë për të cilën u përgëzua kryeministri nga e gjithë organizata jonë. Pas kësaj përballje do të bëhemi gati për zgjedhje”, përfundon komunikata e Lëvizjes Vetëvendosje.

Ndryshe, nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës, në deklaratat e tyre për media se a do të shkojnë në takim me presidentin kanë thënë se ende nuk kanë pranuar ftesë dhe nuk mund të flasin, fillimisht pa marrë ftesën për takim nga presidenti Thaçi.

Ndërkaq, për dallim nga këto parti, nga Nisma Socialdemokrate kanë thënë se me të marrë ftesën nga presidenti, do të shkojnë si parti për konsultime në lidhje me qeverinë e ardhshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA