Vendosja e planifikuar dhe shpërndarja e trupave në zonën e de-eskalimit në Idlib, në veriperëndim të Sirisë vazhdon dhe nuk ka tërheqje të trupave nga rajoni, njoftoi sot Ministria turke e Mbrojtjes.
“Për të ndaluar gjakderdhjen dhe krizën humanitare dhe për të ofruar sigurinë e trupave si dhe kthimin e sigurt të civilëve në shtëpitë e tyre, të gjitha vendimet e marra sipas marrëveshjes së Moskës po zbatohen me kujdes maksimal”, thuhet në deklaratën e ministrisë. Më tej thuhet se “Forcat e Armatosura Turke po vazhdojnë vendosjen e planifikuar dhe shpërndarjen e trupave në zonën e de-eskalimit në Idlib, në veriperëndim të Sirisë, në përputhje me armëpushimin e 6 marsit. Raportimet e disa mediave për tërheqjen e trupave tona nga rajoni nuk pasqyrojnë të vërtetën”.
Idlibi ndodhet brenda zonës së de-eskalimit që doli nga marrëveshja midis Turqisë dhe Rusisë në fund të vitit 2018. Regjimi sirian dhe aleatët e tij, megjithatë, kanë shkelur vazhdimisht marrëveshjen e armëpushimit, duke ndërmarrë sulme të shpeshta brenda zonës. Siria është përfshirë në një luftë të egër civile që nga fillimi i vitit 2011 kur regjimi i Asadit u përpoq të shtypë me dhunë të paparë protestat pro-demokracisë. Qindra mijëra njerëz janë vrarë dhe mbi 10 milionë të tjerë janë shpërngulur si pasojë e konfliktit sirian./AA
Top Channel