Në Hungari, kryeministri Viktor Orbán, qeveria e tij dhe analistët e tyre po kërkojnë kurbanë për pandeminë e koronavirusit: sipas deklaratave të tyre, fajtorët për përhapjen e virusit në Hungari dhe gjetkë janë emigrantët e paligjshëm, studentët e huaj, politikanë të opozitës liberale dhe, e fundit, por jo më pak e rëndësishme, miliarderi amerikan me origjinë hungareze-hebreje George Soros dhe gjoja rrjeti i tij.

Që javën e kaluar, gjatë një video-konference me krerët e shteteve dhe qeverive të BE, kryeministri i Hungarisë Viktor Orbán tha se ekziston një lidhje e qartë midis emigrimit të paligjshëm dhe epidemisë, pasi shumë emigrantë kanë ardhur përmes Iranit, një nga vatrat kryesore të sëmundjes. Kjo është arsyeja pse Hungaria mbylli zonat e tranzitit për refugjatët në kufirin me Serbinë.

Të premten e kaluar Orbáni shkoi edhe më tej në intervistën e tij të përjavshme me radion shtetërore Kossuth-Rádió dhe foli për një “luftë me dy fronte”, në të cilën ndodhet Hungaria: “Nga njëra anë është fronti i quajtur emigrim dhe nga ana tjetër fronti i epidemisë korona”, tha Orbáni, i cituar nga DW Universitetet e vendit u mbyllën, sepse kishte shumë studentë të huaj, tha ai. “Sipas përvojës sonë,” tha Orbán, “ishin kryesisht të huajt që sollën epideminë në Hungari, dhe ajo përhapet edhe tek të huajt, dhe në Hungari, njerëzit në përgjithësi nuk e dinë këtë, ka disa dhjetëra mijëra studentë të huaj”.

Media e drejtuar nga qeveria kishte raportuar më parë për dy studentë iranianë, testet e të cilëve rezultuan pozitive për Covid 19, të cilët, menjëherë pas kësaj u dëbuan për mosrespektimin e rregullave të karantinës. Zyrtarët hungarezë thanë se gjoja ata kishin ngritur krye kundër rregullave në objektin e karantinës. Kjo nuk ishte e verifikueshme, dhe gazetarët e pavarur nuk mundën të flasin me studentët.

Top Channel