Avioni përplaset me një makinë gjatë uljes në Australi, dy të moshuar plagosen rëndë

10/11/2026 21:04

Një aksident i pazakontë është regjistruar të martën në Melbourne të Australisë, ku një avion i vogël është përplasur me një automjet që po lëvizte në një rrugë pranë aeroportit.

Si pasojë e incidentit, dy persona kanë mbetur të plagosur, ndërsa fatmirësisht personat që ndodheshin në avion kanë shpëtuar pa lëndime.

Ngjarja ndodhi rreth orës 14:30 sipas orës lokale, në MacIntyre Lane, pranë Aeroportit Lilydale, në zonën Yering. Sipas mediave australiane, avioni i tipit Piper PA-28, me një motor, ishte duke kryer një fluturim stërvitor, me një pilot student dhe instruktorin e tij në bord, kur gjatë afrimit për ulje goditi një automjet që po kalonte në rrugën pranë pistës.

Nga përplasja u plagosën një grua rreth të 60-ave dhe një burrë rreth të 70-ave, të cilët ndodheshin në automjet. Të dy pësuan dëmtime në kokë dhe u transportuan me urgjencë në Spitalin Maroondah. Sipas informacioneve paraprake nga autoritetet shëndetësore, gjendja e tyre paraqitet e qëndrueshme.

Ndërkohë, dy personat që ndodheshin në avion, piloti student dhe instruktori, nuk pësuan lëndime, pavarësisht dëmtimeve të konsiderueshme të mjetit fluturues.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë përmasat e aksidentit. Automjeti tip SUV, me ngjyrë të bardhë, shihet me xhamin e thyer dhe me dëmtime të rënda në pjesën e sipërme të karrocerisë. Ndërsa avioni ka përfunduar në një zonë ngjitur me rrugën, duke humbur njërin prej krahëve.

Një dëshmitar okular ka treguar se avioni goditi çatinë e makinës teksa po i afrohej pistës për t’u ulur, duke shkaktuar një përplasje të fortë.

Menjëherë pas ngjarjes, në vendin e aksidentit mbërritën forcat e policisë, zjarrfikësit dhe ekipet mjekësore. Për shkak të ndërhyrjes së autoriteteve, qarkullimi i automjeteve në zonë u ndërpre përkohësisht.

Byroja Australiane e Sigurisë së Transportit (ATSB) ka nisur një hetim për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e aksidentit. Hetuesit do të analizojnë mbetjet e avionit, si dhe pamjet filmike të siguruara, për të përcaktuar se si mjeti fluturues përfundoi duke u përplasur me automjetin në rrugë.

Top Channel