Covid-19, Kosovë/ Ministrja Haxhiu nxjerr udhëzime për profesionet e lira, kërkon lehtësim të pagesave

16/03/2020 13:58

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pas shqyrtimit të kërkesës së Odës së Përmbaruesve të Kosovës, ka nxjerrë disa udhëzime përmes së cilave janë propozuar disa masa vepruese për Profesionet e Lira në Kosovë, në lidhje me situatën pandemike të krijuar nga virusi Covid-19.

Ministrja Haxhiu, ka udhëzuar që zyrat e përmbaruesve të shqyrtojnë mundësinë për lehtësimin e pagesave nga llogarit aktualisht të bllokuara të debitorëve-llogaritë e pensioneve dhe pagave.

Po ashtu është udhëzuar që zyrat e përmbaruesve, noterëve dhe profesionet e tjera të lira ligjore të zvogëlojnë aktivitete, kontaktet me palët, ndërsa zyrat e noterëve të anulojnë seancat e trashëgimisë, shitblerjeve, ose çfarëdo veprimi tjetër që ndihmon në zvogëlimin e numrit të personave që mblidhen në një ambient të caktuar.

Udhëzimet e nxjerra nga Ministrja Haxhiu janë si në vijim:

1. Udhëzohen zyrat e përmbaruesve, noterëve, dhe profesioneve tjera të lira ligjore që, brenda mundësive ligjore dhe në pajtim me situatën faktike, për aq sa këto udhëzime janë të zbatueshme në punën e tyre, mundësisht t’i zvogëlojnë aktivitetet e zyrave të tyre dhe t’i zvogëlojnë kontaktet me palë, përveç punëve të domosdoshme dhe jetike që duhet të kryhen nga zyrat e tyre;

2. Udhëzohen zyrat e përmbaruesve që, brenda mundësive ligjore dhe në pajtim me situatën faktike, mundësisht t’i anulojnë ankandet e caktuara, t’i anulojnë veprimet përmbarimore në terren, dhe t’i anulojnë seancat e caktuara eventuale;

3. Udhëzohen zyrat e përmbaruesve që, brenda mundësive ligjore dhe në pajtim me situatën faktike, të shqyrtohen mundësitë për lehtësimin e pagesave nga llogaritë aktualisht të bllokuara të debitorëve – llogaritë e pensioneve dhe pagave – (përmes zhbllokimit të përkohshëm të llogarive, zvogëlimit të kësteve mujore, ose veprime tjera të ngjashme që sadopak ju ndihmojnë qytetarëve të Republikës së Kosovës për tejkalimin sa më të lehtë të kësaj situate);

4. Udhëzohen zyrat e noterëve që, brenda mundësive ligjore dhe në pajtim me situatën faktike, të anulohen seancat e trashëgimisë, shitblerjeve, ose çfarëdo veprimi tjetër që ndihmon në zvogëlimin e numrit të personave që mblidhen në një ambient të caktuar;

5. Këto Udhëzime do të jetë në fuqi për aq kohë sa vlerësohet e nevojshme ose deri në ndryshime eventuale të rrethanave faktike apo situatës së përgjithshme;

6. Këto Udhëzime në asnjë rrethanë nuk synojnë ta cenojnë pavarësinë ligjore dhe profesionale të përmbaruesve, noterëve, ose profesioneve tjera të lira, por kanë për qëllim të udhëzojnë për veprime të duhura në situatën aktuale.​

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA