Anthony Fauci: Ende asnjë plan për ndalur udhëtimet brenda SHBA-së

16/03/2020 00:35

Numri i të prekurve në SHBA të dielën u rrit në 3100 ndërsa ai i vdekjeve si pasojë e koronavirusit në 62.

Eksperti kryesor amerikan për sëmundjet infektive Anthony Fauci tha sot se situata në vend, mund të vazhdojë të përkeqësohet, përpara se të shihet ndonjë përmirësim.

Zoti Fauci, i cili drejton Institutit Kombëtar të Alergjive e Sëmundjeve Infektive tha për rrjetin televiziv “ABC News” se qeveria amerikane po bën gjithçka që duhet për të mos lejuar përhapjen e mëtejshme të virusit vdekjeprurës duke përjashtuar mundësinë për ndonjë skenar më të rëndë.

Eksperti amerikan tha gjithashtu se bllokimi i udhëtimeve nga Kina kishte ndihmuar në drejtim të përmirësimit të situatës, ashtu sikurse kufizimet e reja për fluturimet nga Evropa, por ai shtoi se autoritetet nuk kanë zhvilluar asnjë diskutim serioz në lidhje me kufizimin e udhëtimeve brenda vendit. Zoti Fauci tha se ai nuk mendon se një gjë e tillë mund të ndodhë në një të ardhme të afërt, por tha se autoritetet janë të hapura për të marrë çdo vendim që duhet për të përmirësuar situatën.

Ndërkohë sekretari amerikan i Thesarit Steven Mnuchin tha të dielën se fatura stimuluese si përgjigja ndaj krizës që ka krijuar koronavirusi, ka të ngjarë të jetë “domethënëse, por jo shumë e madhe”.

Zoti Mnuchin tha për rrjetin televiziv “Fox News” se një ide të qartë mbi koston financiare do të krijohej këtë javë. Ai tha se marrja e masave lehtësuese për ekonominë ishte e nevojshme dhe se qeveria është e përqendruar të ndihmojë ato biznese që kanë nevojë për likuiditet./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA