Uashingtoni, një ndër qytetet më të vizituar të Amerikës, ka mbyllur muzeumet, shkollat, aktivitetet publike, në përpjekje për të frenuar përhapjen e koronavirusit. Në rrugë dhe në sistemin e metrosë së kryeqytetit shikon gjithnjë e më pak njerëz. Kolegu ynë Ilir Ikonomi ka përgatitur këtë material. Pranë Kapitolit, selisë së Kongresit amerikan, ende shikon vizitorë, por tani ata nuk mund të hyjnë brenda ndërtesave të senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve. Lejohen të hyjnë vetëm ligjvënësit, ndihmësit e tyre dhe gazetarët.
Autoritetet kanë thënë se ndërtesat do të qëndrojnë të mbyllura deri në prill, por kjo do të varet nga gjendja e përhapjes së koronavirusit. Turistët që ishin këtu të enjten para mbylljes thanë se ishin të kënaqur që arritën të shohin çfarë mundën. “Ishte me rëndësi që nipi im të shihte këtë qytet të mrekullueshëm,” thotë Carol Schmidt e cila ka ardhur nga Florida. Një numër ligjvënësish amerikanë janë testuar pozitivë për koronavirusin dhe ndodhen aktualisht në vetë-karantinë.
Zyrtarët e shëndetit paralajmërojnë se gjendja me koronavirusin pritet të keqësohet. Ata thonë se përpjekjet janë përqëndruar te zbutja e impaktit që do të ketë sëmundja. Sipas tyre, është shumë e vështirë të parashikosh nëse edhe në Shtetet e Bashkuara do të ketë mbyllje masive të qyteteve si në disa vende të tjera, por tani për tani të gjitha alternativat janë në tryezë.
“Do të jetë të paktën çështje disa javësh,” thotë infektologu i njohur amerikan Anthony Fauci. “Është e paparashikueshme, thotë Dr. Fauci, por nëse i shikon këto gjëra historikisht, do të duhen nga disa javë deri në dy muaj që kjo të kalojë.” Uashingtoni ka një numër muzeumesh mjaft të vizituara që bëjnë pjesë në kompleksin e quajtur Smithsonian. Të gjitha janë mbyllur, deri në një njoftim tjetër, që me sa duket nuk do të vijë shpejt. Janë pezulluar të gjitha aktivitetet sportive, është mbyllur Qendra Kennedy e shfaqjeve artistike dhe natyrisht Parku Zoologjik Kombëtar.
Parada e Shën Patrikut e planifikuar për të dielën në Uashington është shtyrë, për të kufizuar grumbullimet si një mënyrë që frenon përhapjen e virusit. Duke filluar nga e hëna, nxënësve dhe studentëve u kërkohet të qëndrojnë në shtëpi dhe të gjitha mësimet do të bëhen në distancë, me internet, të paktën deri më 31 mars. Uashingtoni njihet për festivalin e përvitshëm të lulëzimit të qershive. Këtë vit ai ishte planifikuar të fillonte më 4 prill, por autoritetet e kanë anuluar. Vizitorët që normalisht në këtë kohë të vitit janë të shumtë në Uashington, tashmë kanë anuluar turet, dhe hotelet do të kenë shumë më pak punë. E gjithë kjo paralajmëron se në rrugët e kryeqytetit do të shohim gjithnjë e më pak njerëz.
Top Channel