Autoritetet në mbarë botën po ndërmarrin masa gjithnjë e më drastike, në përpjekje për të ngadalësuar përhapjen e koronavirusit të ri, me vendime për izolime dhe kufizime të udhëtimit.

Në aeroportet e SHBA-së, udhëtarët që ktheheshin nga Evropa u ballafaquan me pritje të gjata.

Ushtarët dhe policia u vendosën në rrugët e kryeqytetit të populluar në Filipine.

Franca urdhëroi mbylljen e pothuajse të gjithçkaje që vizitohet nga njerëzit e vendeve tjera – Kulla Eifel, Louvre, kafenetë dhe restorantet . Qeveria fanceze mori masa gjithnjë e më të ashpra për të pamundësuar kontaktin e afërt mes njerzve.

Çekia ka paralajmëuar se do të vendosë izolim të plotë për gjithë vendin.

Në Kinë, ku virusi u zbulua për herë të parë në dhjetor, njerëzit që mbërritën pëmes fluturime nga vendet tjera u dërguan në një qendër të improvizuar për kontrolle fillestare përpara se të transferoheshin në shtëpitë e tyre ose në vende të tjera karantine.

Në Lindjen e Mesme, autoritetet myslimane njoftuan se xhamia Al-Aksa e Jeruzalemit, vendi i tretë i shenjtë i Islamit, do të mbyllet për shkak të shqetësimeve për përhapjen e koronavirusit.

Në Itali, vendi më i goditur në Evropë, numri i vdekjeve u rrit në 1400 dhe infeksionet në më shumë se 21,000 për shkak të asaj që autoritetet e karakterizuan si sjellje të papërgjegjshme nga njerëzit që ende shoqërohen, pavarësisht izolimit mbarëkombëtar.

Në Britani, numri i vdekjeve gati u dyfishua nga një ditë më parë, në 21, dhe numri i njerëzve të infektuar u rrit në mbi 1100.

Greqia raportoi për 230 raste me infeksion dhe tri vdekje. Policia atje arrestoi 45 pronarë dyqanesh për shkeljen e një vendimi për mbylljen e bizneseve.
Danimarka mbylli kufijtë e saj dhe ndaloi trafikun e pasagjerëve me vendet tjera.

Polonia mbylli kufijtë në mesnatë dhe ndaloi hyrjen e të huajve përveç nëse ata jetonin në Poloni ose kishin lidhje personale atje.

Rusia tha se kufijtë e saj me Norvegjinë dhe Poloninë do të jenë të mbyllura për shumicën e të huajve duke filluar nga e diela.

Australia dhe Zelanda e Re njoftuan se udhëtarëve që vijnë do t’u kërkohet të izolohen për 14 ditë, me pak përjashtime.

Top Channel