Europë, masa drastike kundër virusit: Rumania- gjendje e jashtëzakonshme, Çekia- mbarë vendi në karantinë!

15/03/2020 15:49

Në mbarë Europën, po merren masa drastike për frenimin e koronavirusit.

Greqia do të ndalojë qarkullimin në rrugët tokësore dhe detare, si dhe fluturimet me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, dhe Spanjën për të frenuar përhapjen e koronavirusit.

Athina zgjati edhe kufizimet e udhëtimit për në Itali. Austria mbylli shkollat e shumicën e dyqaneve, ndaloi grumbullimet me pesë persona dhe zgjeroi listën e vendeve me kufizime udhëtimi. Njerëzve në Spanjë u është thënë të qëndrojnë brenda, e të dalin vetëm për të blerë ushqime apo ilaçe, dhe në ndonjë rast të domosdoshëm. Rumania po përgatitet të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme; Republika Çeke i ka mbyllur kufijtë e me gjasë, do të deklarojë karantinën për të gjithë vendin. Kufijtë i mbylli dhe Sllovakia.

Në Francë, nuk gjen më hapur shkolla, kafene, restorante, kinema, klube nate, por zgjedhjet lokale po mbahen si rregullisht. Britania ndërkohë vendosi t`I shtyjë me një vit zgjedhjet e saj rajonale që ishin planifikuar në muajin maj. Kryeministri i Australisë, Scott Morrison ka urdhëruar të gjithë personat që hyjnë në shtet të vetizolohen për 14 ditë, me qëllim parandalimin e përhapjes së koronavirusit

“E dimë që virusi nuk mund të ndalet plotësisht – askush nuk mund ta bëjë një gjë të tillë – por ne mund të ngadalësojmë përhapjen e tij”, tha kryeministri australian, teksa bëri thirrje që qytetarët të mbajnë distancë nga njëri-tjetri kur takohen dhe të mos shtrëngojnë duart me askënd. Masa të ngjashme ka marrë edhe Zelanda e Re.

Anijet me udhëtarë do të ndalohen që të zbarkojnë në Australi për 30 ditë, por shkollat do të vazhdojnë të jenë të hapura. Vendi deri tani ka raportuar 250 raste me koronavirusin e ri dhe tre vdekje.

Top Channel