Moulin Rouge në Paris, ka mbyllur dyert deri në një njoftim të dytë, për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri.

Kërcimi i fundit i kabaresë, sidoqoftë, ishte plot magji dhe shkëlqim, për çka në fakt shou është i famshëm.

Përveç teatrit të famshëm, edhe të tjera emblema të Parisit, të shumë frekuentuara nga turistët, që kanë zgjedhur të mbyllin dyert, janë edhe Luvri dhe kulla Eiffel. Ato u mbyllën të premten për shkak të koronavirusit ndërsa Franca tha se do të ndalonte edhe tubimet e më shumë se 100 personave.

Vendi, ndër më të vizituarit në botë, është një nga më të goditurit në Evropë nga pandemia e koronavirusit, me më shumë se 2800 të infektuar dhe 61 viktima. Sektorët e turizmit dhe kulturës janë goditur veçanërisht rëndë ndërsa qeveria ka ndërmarrë masa kufizuese për epideminë duke mbyllur shkollat dhe duke ndaluar tubimet. Edhe Luvri e kulla Eiffel, do të qëndrojnë të mbyllura deri në një njoftim të dytë ndërsa edhe pallati i Versajës tha se do të mbyllet. Musee d’Orsay në Paris, që mban edhe koleksionin më të madh në botë të pikturave të impresionistëve, po ashtu në faqen e tij të uebit tha se ishte mbyllur.

Të njëjtin fat do të kenë teatrot publike, bibliotekat dhe sallat e koncerteve. Vetë ministri i kulturës në Francë, është në karantinë në shtëpinë e tij, pasi rezultoi pozitiv për virusin më herët këtë javë.

Top Channel