Gjykata e Apelit, në kryeqytetin e Paraguait, Asuncion, hodhi poshtë kërkesën e avokatit për lirimin e Ronaldinhos dhe vëllait të tij Assis, të arrestuar për falsifimin e pasaportave, me të cilat hynë në Paraguai. Kjo ishte kërkesa e tretë (e hedhur poshtë) e bërë nga avokatët e ish-kampionit të Barcelonës dhe Milanit, që, gjithsesi, do të mbetet në burg.
Sipas prokurorit, Marcelo Pecci, ekzistonte rreziku i arratisjes se Dinhos, nëse do të ishte liruar, arsyetim që u pranua nga gjykatësit e apelit.
14 persona janë ndaluar për këtë çështje, përfshirë oficerë të aviacionit civil, policë të zakonshëm dhe policë kufitarë. Ronaldinho ndodhet në një burg ku vuajnë dënimin për krime të ndryshme edhe 25 oficerë policie dhe disa politikanë (për korrupsion).
Topi i Artë i vitit 2005 është ankuar për kushtet e vështira në ambientet ku mbahet i izoluar, vçanërisht për nxehtësinë, pasi temperatura në Asuncion këto ditë arrin 40 gradë. Roni është raportuar se luan futboll (kalçeto) në një fushë brenda burgut me të burgosurit e tjerë, të cilët qëndrojnë në radhë për të bërë foto me të.
Top Channel