Fotot e të sëmurëve në fund të jetës, por edhe të vdekur. Foto që do t’ju bëjnë që ta lini vesin e duhanit. Çdo paketë cigaresh në Shqipëri shumë shpejt duhet të jetë e rrethuar me këto foto. Në rast të kundërt nuk do lejohet shitja.

Komiteti Ndërsektorial për Mbrojtjen e Shëndetit nga Produktet e Duhanit, në mbledhjen e mbajtur ditën e sotme, në drejtimin e Ministres Ogerta Manastirliu, ka miratuar imazhet që do të përdoren në paketimet e duhanit në Shqipëri.
“Ne propozuam që të përdornim imazhet që përdoren në Bashkimin Europian, por nuk ishte e mundur për shkak se lejohet vetëm për vendet anëtare. Ndaj hulumtuam dhe morëm miratim nga Australia dhe Kanadaja për të përdorur fotot paralajmëruese në paketimet e duhanit. Paralajmërimet e kombinuara tekst dhe figurë do të zënë 65% të faqes ballore të paketimit të duhanit dhe po ashtu të faqes së pasme, duke zbatuar Direktivën 2014/40 EU”, tha Manastirliu.
Imazhet e reja do te vendosen në paketat e cigareve dy vite pas miratimit, për t’i lënë kohën e nevojshme biznesit për të bërë ndryshimet e duhura në paketimin e duhanit.
Strukturat e Ministrisë së Shëndetësisë, ISHP dhe ISHSH do të ndjekin zbatimin e ligjit të ri, me përfshirjen e të gjithë institucioneve të ngarkuara nga ligji në grupet e inspektimit, qoftë inspektoriati i punës, drejtoritë e taksave, inspektoriatet arsimore dhe policia.
Gjithashtu, në bashkëpunim me Autoritetin e Mediave Audiovizive do të ndërmerret një fushatë komunikimi për dëmet që shkakton duhanpirja.

FOTO GALERI
2/13

Top Channel