Hernadez me të kuqe, Juventusi barazon “in extremis” në “San Siro”

14/02/2020 08:28

Përfundoi në barazim 1-1 sfida e vajtjes gjysmëfinale e Kupës së Italisë e zhvilluar mes Milanit dhe Juventusit në “San Siro”, duke lënë gjithçka të hapur në takimit e kthimit, ku sigurisht bardhezinjtë mbeten të favorizuar.

Milani iu afrua shumë suksesit në këtë përballje të parë, por në minutën e parë shtesë Cristiano Ronaldo shënoi me 11-metërsh golin e barazimit (më Milanin kishte shënuar në minutën e 61-të Rebic), teksa kampionët në fuqi të Italisë shfrytëzuan epërsinë numerike pas ndëshkimit të Theo Hernandezit me kartonin e dytë të verdhë në minutën e 71-të.

Në dy raste gjyqtari Paolo Valeri kërkoi ndihmën e sistemit VAR për të vendosur mbi pretendimet e futbollistëve të Juventusit për 11-metërsh. Në minutën e 65-të në rrëzimin e Cuadrados në zonë nuk gjeti elementët e duhur për të sinjalizuar për penallti, ndërsa në minutën e fundit të kohës së rregullt, ndërhyrjen e Calabrias ndaj roveshatës së Ronaldos e konsideroi të parregullt, duke i dhënë mundësinë portugezit që të barazonte takimin “in extremis”.

Top Channel