Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion (DHKEK), në tri lokacione të ndryshme, në tri raste të ndara, arreston gjashtë të dyshuar, nën dyshim për përfshirje në veprimtari penale.
Pas pranimit të Urdhër Kontrollit të lëshuar nga Gjykata Themelore-Ferizaj, sot policia ka realizuar planin operativ “Kontrabanda” ku janë kontrolluar katër lokacione.
Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar sasi e madhe e barnave, kartëmonedha euro, armë, substancë e dyshuar narkotike, katër vetura dhe dëshmi tjera. Nën dyshim për përfshirje në veprat penale kontrabanda me mallra dhe dhënia e ryshfetit janë arrestuar katër të dyshuar A.L. (1974), A.L. (1983), L.B. (1976) dhe F.S. (1980).
Policia e Kosovës po ashtu sot, pas hetimeve paraprake, nën dyshimin për përfshirje në veprat penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe ushtrim i ndikimit, ka arrestuar të dyshuarin: R.B. (1982), kryesuesi i Bordit të Drejtorëve – Trafiku Urban në Prishtinë.
I arrestuari, dyshohet se tejkalon autorizimet e tij dhe mundohet të ndikojë në vartësit e tij për pranim të një kandidateje në një konkurs punësimi.
Po sot, Policia e Kosovës në Drenas ka arrestuar të dyshuarin Xh.H. (1962), nën dyshimet për falsifikim të dokumenteve.
I dyshuari gjatë periudhës korrik-dhjetor 2019, derisa ishte nënkontraktor për pastrimin e veturave të policisë, ka arritur të falsifikojë shkresat rreth numrit të veturave të pastruara (shtim të numrit) duke shkaktuar një dëm në vlerë rreth 1,000 euro.
Me aktvendim të prokurorëve kompetentë, gjashtë të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
Top Channel