Ambasadori Richard Grenell, i dërguar i presidentit Donald Trump për bisedimet Kosovë – Serbi, i bëri thirrje të martën qeverisë së Kosovës që të heqë tarifat ndëshkuese ndaj mallrave serbë që kanë bllokuar procesin e bisedimeve ndërmjet të dyja vendeve ballkanike.

Grenell, ambasador në Berlin, tha se Shtetet e Bashkuara presin që “tarifat të hiqen menjëherë”. “Ne ua kemi bërë të qartë të gjithë udhëheqësve të partive në Kosovë që heqja e tarifave ishte në interesin më të mirë të Kosovës dhe ekonomisë së saj si dhe synimeve për të tërhequr biznese të reja,” tha ai në një deklaratë dërguar nëpërmjet postës elektronike për agjencinë e lajmeve Associated Press.

Ambasadori Grenell muajin e kaluar ndërmjetësoi një marrëveshje për vendosjen e linjës ajrore ndërmjet të dyja vendeve pas 21 vjetësh dhe hapi diskutimet për rihapjen e linjës hekurudhore ndërmjet tyre. “Ne po shënojmë përparim historik,” tha ambasadori Grenell. “Ka shumë të reja që do të publikohen së shpejti sepse të dy palët duan të ecin përpara. Këto lëvizje do të krijojnë një jetë më të mirë për njerëzit e rajonit”, tha ai. Ditë më parë gjatë një vizitë në rajon, i dërguari amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell tha se “Kosova duhet të heqë tarifat ndërsa Serbia duhet t’i jap fund fushatës për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës”. Beogradi kushtëzon rifillimin e bisedimeve me heqjen e tarifave, ndërsa qeveria e deritashme e Kosovës refuzoi edhe thirrjet evropiane e amerikane për heqjen apo pezullimin e tyre. Të hënën Kosova u bë me qeverinë e re pas zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit të vitit të kaluar. Kryeministri i ri, Albin Kurti tha se qeveria e tij do të vendosë “reciprocitetin e plote me Serbinë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA