Fiks Fare trajtoi ankesën e vëllezërve Jahja nga Rrashbulli, të cilëve në 1991 kur është ndarë toka më ligjin 7501, gabimisht rreth 10 mijë m2 kanë qenë arë, por brenda vijës së verdhë të qytetit. Për 28 vjet ata e kanë zotëruar këtë pronë, shitur dhe dhënë  me qira tek të tretë pa patur dijeni për gabimin që është bërë. Sot me AMTP-në në dorë, ata sorollaten nga njëri institucion në tjetrin pa ju dhënë një zgjidhje. Sipas specialistit të tokave pranë njësisë Rrashbull, Pasho Beqiri, ata nuk kanë asnjë informacion nëse në kohën që është ndarë nëse kjo sipërfaqe ka qenë nën administrimin e Durrësit apo ish komunës Rrashbull.

Bashkia Durrës, në shkresën drejtuar qytetarit informon se pasuritë janë në zona kadastrale të ndryshme, dy pasuri janë në fshatin Rrashbull dhe përputhen me titullin e pronësisë, dhe dy pasuritë e tjera janë brenda vijës kufizuese të qytetit të Durrësit. Rrjedhimisht janë truall dhe nuk ndahen  me ligjin 7501.

Fiks Fare kontaktoi edhe me drejtorinë e Kadastrës e cila sqaroi se ata nuk kishin kartela të hapura për këtë pasuri, dhe informacionin e kërkuan pranë Bashkisë Durrës dhe Prefekturës. Përgjigja e tyre ishte e njëjtë. Është tokë truall dhe nuk mund të regjistrohet.

Por faktikisht, në kohën që kjo sipërfaqe është ndarë, në vitin 1991 nuk ka qenë tokë truall. Sipas Drejtorisë së Administrimit të Tokave, pranë qarkut Durrës, kjo sipërfaqe ka qenë e regjistruar më zërin kadastral arë,por pavarësisht kësaj nuk duhej të ishte ndarë, pasi është brenda vijave kufizuese të qytetit. Fiksi mori kontakt me njërin nga specialistët i cili e pranon që kjo pasuri është ndarë gabimisht. “Ajo në atë kohe në zërin kadastral ka qenë tokë arë, por pas ndërtimit është bërë truall dhe është brenda vijës së verdhë. Gabime të tilla janë bërë plot dhe nuk kanë zgjidhje”-shtoi specialisti pranë DAMT-së të qarkut Durrës.

Pra e thënë shkurt, për rreth 10 mijë m2 të sipërfaqes që vëllezërit Jahja e kanë zotëruar, shitur apo dhënë me qira tek të tretë, qysh prej 28 vitesh, sot u thuhet se është ndarë gabim. Duke i lënë kështu në një konflikt të hapur me shtetin, i cili në kuptim të ligjit, nëse nuk i regjistron dot këtë sipërfaqe minimalisht duhet t’i tregoj rrugën e zgjidhjes dhe të gjej fajtorët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA