Mbi 35 miliardë lekë pasuri të sekuestruara e konfiskuara, AAPSK synon ripërdorimin e 50% të aseteve

22/09/2026 17:16

Sot në Tiranë u zhvillua konferenca e organizuar nga European Chapter i FBI National Academy Associates (FBINAA), me fokus forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar.

Gjatë aktivitetit u diskutua edhe për administrimin dhe ripërdorimin e pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara nga aktiviteti kriminal pasi mbi 35 miliardë lekë pasuri të sekuestruara dhe të konfiskuara administrohen aktualisht nga AAPSK, ndërsa vetëm gjatë vitit 2026 janë regjistruar 1,175 sekuestrime dhe 84 konfiskime pasurish.

Kryeadministratorja e Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK), Risena Xhaja, prezantoi të dhënat mbi pasuritë që aktualisht administrohen nga Agjencia, të ardhurat e krijuara prej tyre dhe objektivin që të paktën 50% e aseteve të konfiskuara të orientohen drejt ripërdorimit në dobi të institucioneve dhe komuniteteve.

Në kuadër të konferencës, Xhaja prezantoi temën “From Confiscation to Public Good”, duke u ndalur te administrimi dhe ripërdorimi i pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara nga aktiviteti kriminal.

Sipas të dhënave të prezantuara, AAPSK administron aktualisht 2,682 pasuri të sekuestruara, me një vlerë prej rreth 28.5 miliardë lekësh, si dhe 516 pasuri të konfiskuara, me vlerë rreth 6.8 miliardë lekë.

Kryeadministratorja e AAPSK-së theksoi se konfiskimi nuk duhet të konsiderohet si fundi i procesit të goditjes së pasurisë kriminale, pasi pas vendimit të drejtësisë nis përgjegjësia e shtetit për ruajtjen e vlerës ekonomike të këtyre pasurive dhe vënien e tyre në funksion të qytetarëve.

“Konfiskimi nuk është fundi i procesit. Është momenti kur shteti duhet të provojë se di ta ruajë atë vlerë dhe ta vendosë në shërbim të qytetarëve”, deklaroi Xhaja.

Sipas saj, goditja e pasurive, parave, bizneseve dhe rrjeteve financiare të krimit të organizuar përbën një nga mënyrat për të dobësuar strukturat kriminale.

Të ardhurat e krijuara nga administrimi i pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara kanë shënuar rritje gjatë viteve të fundit.

Sipas Xhajës, të ardhurat vetëm nga qiratë arritën në rreth 160 milionë lekë gjatë vitit 2024 dhe rreth 221 milionë lekë në vitin 2025. Ndërsa deri në gusht të vitit 2026, të ardhurat nga qiratë kanë arritur në rreth 180 milionë lekë.

Por, objektivi i AAPSK-së, sipas kryeadministratores, nuk është vetëm gjenerimi i të ardhurave, por edhe kthimi i pasurive dhe fondeve të konfiskuara në dobi të institucioneve dhe komuniteteve.

Përmes Fondit të Posaçëm, gjatë këtij viti janë mbështetur institucione shtetërore dhe 22 organizata, me projekte në një vlerë prej 150 mijë eurosh. Projektet kanë në fokus mbështetjen e viktimave të trafikimit, parandalimin e kriminalitetit dhe përdorimit të drogës, luftën kundër dhunës në familje, dhunës në shkolla dhe bullizmit.

Në këtë drejtim, AAPSK ka vendosur një objektiv për vitet e ardhshme. Në strategjinë 2025–2030, Agjencia synon që të paktën 50% e pasurive të konfiskuara të orientohen drejt ripërdorimit, përfshirë edhe ripërdorimin social.

“Destinacioni përfundimtar i një pasurie kriminale nuk mund të jetë një magazinë, një godinë bosh apo një numër në regjistër. Ajo duhet të ruajë vlerën dhe të krijojë dobi për shoqërinë”, u shpreh Xhaja.

Sipas saj, ripërdorimi social mund të shërbejë edhe si instrument parandalimi. Një pronë e konfiskuar mund të kthehet në një qendër shërbimi, një automjet mund t’i kalojë një institucioni ligjzbatues, ndërsa të ardhurat e krijuara nga pasuritë mund të përdoren për mbështetjen e viktimave dhe komuniteteve vulnerabël.

Një tjetër çështje e diskutuar gjatë konferencës ishte ndërkombëtarizimi i pasurive kriminale. Përveç pronave, bizneseve dhe llogarive bankare, strukturat përgjegjëse për administrimin dhe gjurmimin e pasurive po përballen gjithnjë e më shumë edhe me asete virtuale dhe kriptomonedha.

Xhaja bëri të ditur se që prej vitit 2025, AAPSK ka intensifikuar bashkëpunimin me institucionet homologe jashtë vendit, përmes marrëdhënieve me Italinë, Francën, Mbretërinë e Bashkuar dhe Spanjën, si dhe me Kosovën, Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi dhe Ukrainën.

Ajo veçoi edhe marrëveshjen e nënshkruar së fundmi me Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa vlerësoi rëndësinë që mund të ketë eksperienca dhe mbështetja amerikane për rritjen e mëtejshme të kapaciteteve të Agjencisë.

Top Channel