Janë nëntë hebrenj që kanë rënë dëshmorë për lirinë e Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Nga Simon Vrusho – Pavarësisht se në dukje e qetë, familja Emanuel Ruben nuk ndihej e sigurt në Beograd, prandaj në janar 1941 vendos largimin nga Beogradi, duke zbritur në Prishtinë, me synim që më vonë të shkonte në Shqipëri. Tre muaj më pas, 6 prill 1941, Beogradi bombardohet.

Qëndruan në Prishtinë muaj të tërë të veshur si vendas, si kosovarë. Më vonë familja Emanuel Ruben gjendet në Kavajë, e përbërë nga: kryefamiljari Emanuel Ruben dhe me radhë: e shoqja , Lea, katër vajzat: Berta, Matilda, Rifka, Lubica, si dhe tre djem: Isak, Avram dhe Baruh.
Dy muaj pas qëndrimit në Kavajë, Isak dhe Berta bien në kontakt me partizanët e Kavajës dhe rreshtohen në grupin e Pezës me komandant Sali Verdha. Isak – partizan, Berta – inferimiere.

Në vjeshtën 1942 Sali Verdha takon mikun e vet, Ismail Zenuni dhe prindërit e Ismailit strehojnë Isakun e Bertën në shtëpinë e tyre në Tiranë, në Rrugën”Ali Braushi” Nr. 14, ku edhe kanë jetuar deri në vitin 1957.

Gjatë një misioni në Tiranë, Isakun e arrestojnë nazistët dhe e çojnë në Zemun, kamp përqëndrimi pranë Beogradit. Pati fund tragjik, gjë që u mësua në 20 shkurt 1945, kur gazeta “Bshkimi” shkroi për atë.

Për të shpëtuar pjesën tjetër të familjes, pas arrestimit të Isakut, Ismaili, mik pas miku i çon në Dibër në Qafë Muhur, tek Ramadan Biba, ku edhe qëndroi 8 muaj, deri në dhjetor 1944.

Në pranverë 1946 u rikthyen, me përjashtim të Bertës.

Berta dhe Ismaili krijojnë familje.

Tek dëgjon Apollon Ruben, të birin e Bertës e të Ismailit, nipin eIsak Ruben, që shpalos fakte, ngjarje, histori, rrëfenja për të parët e vet, gjithsesi kujtesa të mbetet tek ISAK RUBEN, tek ky dëshmor për Shqipërinë, hebreu Isak Ruben…

-Më 1991, – vijon Apollon Ruben Zenuni -shkuam në Izrael. Për herë të parë, pas kaq vitesh Berta takon motrat… Gjyshi Emanuel kishte shkuar me kohë në Tel Aviv, në Batjam. Më saktë në BEN JEUDA BAT JAM. Para ’90-ës ç’na dërgonin tezet, xhinse, xhupe, xhoke, bluza, jo kurrë, i mbani për vete, neve na jepnim vetëm të brendshmet, brekët… Ç’hoqën?… Ndryshoje emrin e nënës, bëje shqiptare, jepi shtetësinë… Nga Berta bëje Alije apo emër tjetër…

Tani kujtimet e lëna pas duken si flakë zjarri që djegin…

Por ISAK RUBEN digjet si pishtar në qiellin e Shqipërisë…

David Juda Kohen, Jakov Avramoviç, Jusef Solomon Konforti, Jusef David Bivas, Zhak (Isak) Emanuel Ruben, Leo Tyjeri, Jakov Josef Bahar, Baruh Isak Baruh dhe Dario Zhak Arditi janë emrat e 9 hebrenjve që kanë rënë dëshmorë për lirinë e Shqipërisë në Luftën II Botërore.

Berat, prill 2018

FOTO GALERI
2/9

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA