Komiteti i Monitorimit të Asmblesë parlamentare të Këshillit të Europës, i është drejtuar Komisionit të Venecias për të kërkuar prej tij një opinion lidhur me të ashtuquajturën “paketë antishpifje” të propozuar nga qeveria shqiptare e të kritikuar gjerësisht, jo vetëm nga komuniteti i gazetarëve shqiptarë por dhe organizata ndërkombëtare të gazetarëve si dhe nga institucione ndërkombëtare.
Shqipëria është ndër vendet anëtare që ende ndodhet nën vëzhgim dhe misioni i fundit në tetor të vitit të kaluar, i dy relatorëve për Shqipërinë, e pati çështjen e ndryshimeve në dy ligjet “Për mediat audiovizive” dhe “Për komunikimet elektronike”, një nga temat kryesore të takimeve që pati në Tiranë.
Vendimi për të kërkuar opinionin e Komisionit të Venecias erdhi në një moment kur parlamenti ka nisur shqyrtimin e dekreteve të Presidentit Ilir Meta, i cili i ktheu pas ndryshimet e miratuara në fund të muajit dhjetor, ndërsa shumica nga ana e saj po këmbëngul t’i kalojë ato sërish pa i prekur.
Mbetet i paqartë nxitimi i shumicës për të kaluar me urgjencë këtë paketë, në një kohë kur dhe nga institucionet ndërkombëtare është theksuar se kthimi pas i ndryshimeve ligjore nga presidenti Meta duhet të shfrytëzohet si një mundësi për të bërë përmirësime.
Përfaqësuesi i OSBE-së për shtypin, Harlem Desir, bëri të qartë javën e shkuar, përmes një deklarate, se “asnjë pjesë e legjislacionit të ri nuk duhet të pengojë lirinë e shprehjes dhe lirinë e shtypit”, duke theksuar se shpresonte se”rivotimi i ligjit do t’u hapë rrugën sqarimeve dhe përmirësimeve të mëtejshme të këtij ligji në mënyrë që të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare”. Desir u shpreh gjithashtu se ishte i gatshëm të punojë me autoritetet shqiptare për përmirësimin e ligjit të shtypit, veçanërisht atyre pjesëve që lidhen me gjobat dhe parimin e proporcionalitetit siç parashikohet në ligjin ndërkombëtar”.
Të martën ndërkohë, dhe Komisioni Europian ju përmbajt qëndrimit të vet kritik. “Ne e kemi bërë të qartë se Bashkimi Europian mbështet rekomandimet e Këshillit të Europës në rastin e ligjit të medias në Shqipëri.
Top Channel