Manchester City barazoi 2-2 në “Etihad Stadium” me Crystal Palace e tashmë duhet ta pranojë se nuk mund të konsiderohet më rival i Liverpoolit në garën për titullin e Premier League-s. Në njëfarë mënyre, kampionët në fuqi po “abdikojnë” para kohe nga froni, pasi diferenca me Liverpoolin kryesues është plot 13 pikë, me “The Reds” që kanë edhe dy ndeshje më shumë në dispozicion për të luajtur.
Në pjesën e parë traversa e goditur nga Kevin De Bruyne ishte shumë pak për Citizens, që në minutën e 39-të u ndëshkuan nga goli i turkut Tosun gjatë zhvillimeve të një këndoreje. Duhet kujtuar edhe rasti në i minutës së 19-të, kur miqtë pretenduan për 11-metërsh, por kryesori, pasi u konsultua me sistemin VAR, vijoi lojën.
Skuadra e Pep Guardiolës arriti të përmbyste shifrat në 2-1 me dy gola të Sergio Agueros (82’ dhe 87’), por në minutën e fundit të kohës së rregullt, Fernandinho devijoi topin në portën e tij, në tentativë për të larguar rrezikun.
Në minutat shtesë, përtej përpjekjeve të City-t, rezultati mbeti i pandryshuar.
Nuk ia del të marrë maksimumin e pikëve në shtëpi as Arsenali, që barazoi 1-1 në “Emirates” përballë Sheffield Utd. Martinelli kaloi në epërsi “Topçinjtë” në fundit e pjesës së parë, por Fleck (83’) i hoqi mundësinë trajnerit Arteta të festonte fitoren e dytë në krye të londinezëve.
Po me rezultatin 1-1 përfunduan edhe takimet West Ham-Everton dhe Brighton-Aston Villa, ndërsa Norwichi fitoi 1-0 me Bournemouthin e Wolves 2-3 në fushën e Southampthonit.
Top Channel