Presidenti i Republikës, bëri sot homazhe në nderim të jetës dhe veprës së personalitetit të shquar të futbollit dhe sportit shqiptar, ish-futbollistit të “KF Tiranës”, trajnerit të paharruar të ekipeve Shpresa dhe atij Kombëtar shqiptar, Shyqyri Rreli.
Pasi vendosi një kurorë me lule dhe u përul me respekt para trupit të të ndjerit duke i shprehur ngushëllimet familjes Rreli si dhe të afërmve e kolegëve, Presidenti Meta la edhe një shënim në Librin e Zisë.
Në një prononcim për mediat Presidenti i Republikës theksoi:
“Të gjithë ata që kanë ndjekur futbollin shqiptar të fundviteve ‘70 dhe sidomos të viteve ‘80 e kujtojnë dhe nuk do ta harrojnë asnjëherë atë kapërcim cilësor që solli në futbollin tonë profesor Shyqyri Rreli, i cili vrau frikën si trajner dhe si asnjëherë tjetër më parë, kaloi nga një Shqipëri në mbrojtje, duke krijuar një Shqipëri sulmuese, shënuese, fituese, e cila arriti suksese të jashtëzakonshme, sikurse ishin triumfet në Ballkaniada me ekipin Shpresa.
Më pas një nga arritjet më të mëdha të futbollit tonë, ku një kontribut të spikatur pati profesor Rreli, ishte renditja e ekipit Shpresa në 8 skuadrat më të forta të kontinentit, duke skualifikuar drejtpërdrejtë edhe Gjermaninë e asaj kohe dhe skuadra të tjera të mëdha.
Kushdo që i ka ndjekur ato ndeshje i kujton me imtësi dhe detaje, siç ka qenë ajo fitore e jashtëzakonshme, e pabesueshme me Belgjikën e madhe, që ishte e treta në botë në atë kohë. Belgjika e Pfaff-it, e Scifo-s, e Ceulemans-it, etj. Një ekip që dridhte ekipet më të mëdha të botë dhe besoj se të gjithë e mbajnë mend, sepse ajo ka qenë një ndeshje e jashtëzakonshme nga sekonda e parë deri në të fundit.
Por dhe shumë arritje të tjera, aq sa për herë të parë shqiptarët guxuan të ëndërrojnë për të shkuar në finalet e Botërorit të Meksikës.
Për të mos përmendur këtu kontributet e profesorit me ekipin e Tiranës, apo 17 Nëntorin e asaj kohe. Një skuadër e jashtëzakonshme, që ishte edhe një nga shtyllat kryesore të ekipeve Kombëtare.
Rezultatet e Tiranës, jo vetëm në nivel kombëtar, por sidomos në nivel ndërkombëtar, gjithashtu udhëhiqeshin nga kjo filozofi e profesor Rrelit.
Ne do t’i jemi gjithmonë mirënjohës për faktin që ai gjithë jetën e tij ia kushtoi futbollit, ia kushtoi edukimit të të rinjve, me dashurinë për sportin, duke dhënë gjithmonë shembullin se forca e skuadrës është fryma e ekipit dhe gjithmonë punonte për të harmonizuar brezat, gjeneratat e ndryshme, repartet e ndryshme të ekipit.
E modernizoi futbollin tonë si asnjëherë më parë, kuptohet edhe në bashkëpunim me kolegët e tij si Ramazan Rragami dhe shumë të tjerë të asaj kohe. Padyshim që ishin ato arritje aq të guximshme të Kombëtareve të asaj kohe, të 17 Nëntorit apo të Tiranës së asaj kohe, të Flamurtarit të asaj kohe, të cilat më vonë na krijuan mundësinë të guxojmë dhe të realizojmë dhe ëndrrën për të shkuar në finalet e një Europiani dhe të kemi mundësinë ne sot të guxojmë për ta pasur arritje të tjera dhe më të forta në fushën e futbollit, pasi kuptohet që arritjet e asaj kohe më i dedikoheshin përkushtimit dhe seriozitetit të trajnerëve të tillë të sakrificave të futbollistëve se sa të kushteve dhe të mundësive , të cilat dihet që ishin mjaft të kufizuara”.
Presidenti Meta, duke vënë në dukje anën njerëzore të të ndjerit Rreli, u shpreh:
“Prandaj gjithmonë do ta kujtojmë me shumë nderim, me shumë respekt profesor Rrelin si një personalitet i jashtëzakonshëm, si një autoritet i futbollit, i sportit, i shoqërisë sonë, si një figurë e dashur dhe e adhuruar nga të gjithë, edhe nga kundërshtarët në sport. Sepse ai ishte i tillë, që imponohej edhe kundërshtarëve me seriozitetin e tij, me përgjegjshmërinë e tij dhe me arritjet e tij. Me këtë rast, jo vetëm që kisha detyrimin për të shprehur ngushëllimet më të sinqerta të drejtpërdrejtë edhe familjes Rreli, por dua të shpreh edhe të ndaj dhimbjen time dhe ngushëllimet më të sinqerta me gjithë botën e futbollit dhe të sportit tonë. Me të gjithë ata qindra futbollistë, fëmijë, të rinj, të cilët ai i ka rritur, i ka edukuar me dashurinë për sportin dhe që i ka motivuar në rrugën e suksesit, duke u bërë yje të futbollit shqiptar dhe për të gjithë ata studentë dhe nxënës, që janë me mijëra, që ai si pedagog, si mësues, i ka edukuar me dashurinë për sportin gjatë gjithë jetës së tij.”
Top Channel