Një pallat 9 katësh i ndërtuar pa leje u shkatërrua nga tërmeti. Denoncimet e vazhdueshme të banorëve, që nga vitti 2013 e deri në ditët e sotme, në Bashkinë dhe Prokurorinë Krujë nuk u morën në konsideratë.
Fiks Fare investigoi ankesat dhe denoncimet e banorëve për këtë pallat, ku në një dokument rezultoi se prokuroria e qytetit pushoi hetimet në vitin 2013 me një akt ekspertimit sipërfaqësor. Madje, sipas këtij akti, ankesat e banorëve nuk u investiguan plotësisht, pasi nuk kishte mjete. “Duart lart” ngriti edhe Bashkia Krujë, e cila tha se nuk mund të vlerësonte gjendjen konstruktive të këtij pallati. Pasojat e këtyre veprimeve dolën në “dritë” vetëm pas tërmetit të 26 nëntorit, ku problemet e denoncuara për vite me radhë, u faktuan nga natyra!
Në redaksinë e emisionit “Fiks Fare” u ankuan banorët, të cilët thanë se pallati është ndërtuar në 2009. Sipas tyre, legalizimi dhe dokumentet janë marrë në 2009. Ata thanë se leja e ndërtimit është dhënë në 2005, për 5 kat dhe aktualisht pallati është 9 kate. “Këtu jetojnë 29 familje. Ndërtuesi është Muharrem Hoçja. Banesa ime është në katin e 9, ka lagështirë, është bërë e pabanueshme. Tërmeti nxori në shesh të gjitha shkeljet në këtë pallat. Unë i jam drejtuar vazhdimisht me ankesa institucioneve që nga vitit 2013. Të gjithëve, Avokatit të Popullit, Bashkisë Krujë, Kryeministrit të atëhershëm Sali Berisha, të sotmit Edi Rama, ALUIZNI-t dhe Prokurorisë së Krujës” thotë Ylli Tuçi.
Ai shton se në 2013 Bashkia e Krujës i ka kthyer një përgjigje. Në këtë përgjigje shkruhet se “nuk kemi studim gjeologjik”. “Nuk është pajisur me dokumentacion tekniko ligjor nga Bashkia Krujë, ka pasur një leje ndërtimi nga Bashkia Krujë vetëm për një objekt 5 kat, por objekti sa më sipër është aktualisht 9 kat. Bashkia Krujë nuk disponon asnjë dokumentacion tekniko ligjor, siç është studimi gjeologjik dhe relacioni kontruktiv për katet shtesë” thuhet në këtë dokument. Qytetari pohon se nuk ia ka idenë si e legalizoi dhe hipotekoi pallatin, pasi “këtu ka abuzim të madh”. “E kam denoncuar edhe në prokurori dhe është bërë një akt ekspertimi, ku prokuroria ka vendosur mosfillimin e hetimeve. Ka bërë një akt ekspertimit sipërfaqësor” vijon Ylli Tuçi. Në këtë akt ekspertimit të bërë me urdhër të prokurorisë thuhet se “nga një hetim sipërfaqësor që kemi kryer”.Ndërkohë që vijon “nuk kemi bërë investigime të thella…”.
Një banor tjetër pohon se ndërtuesi i ka marrë 1 milionë e gjysëm euro, ndërsa thotë se apartamentin e ka blerë me kontratë në vitin 2009. “Në këtë kontratë thuhet se pallati është 5 katësh. Si i mbajnë këto kolona edhe 4 kate të tjera” pyet qytetari. Të tjerë shtojnë se katet poshtë janë në pronësi të ndërtuesit, ndërsa thonë se disa i kanë blerë me kredi. “Unë kam blerë me kredi. Mua më doli që paguaja shtëpinë e këtij zotërisë. Tani doli nga tërmeti. Jam me kredi 20 vjet dhe se di kush është shtëpia” thotë një banore. Sipas tyre, tërmeti ka shkatërruar kolonat që nga kati i parë.
Grupi i Fiks Fare dhe banorët futen brënda këtij pallati horror. Muret janë të çara, kolonat të krisura. Ndërkohë, në vendin ku bashkohen ndërtesat ka të çara si dhe një pjesë e dyshemesë së disa apartamenteve janë prishur. “Këtë shtëpi më ka thënë ndërtuesi e ke prishur vetë, më ka thirrur edhe një polic. Ne jemi në qiell të hapur. Polici më tha mos i fol Mem Hoçjes. Nuk e di si e prisha unë shtëpinë, të çaj unë këto nuk e di, unë jam 55 vjeç me 4 insulina në ditë. Shiko ça hekuri ka, këtu janë çarë. Kjo është godinë tjetër, kjo është tjetër” thotë ai. Të tjerë pohojnë se gjendja është shumë e keqe dhe aktualisht janë në rrugë të madhe. Në katin e fundit, apartamentet e janë të gjithë me lagështirë. “Kemi 10 vjet me lagështirë. Unë fëmijët nuk i fut më këtu. Na është bërë shtëpia si arkivol. Ne kërkojmë Institutin e Lartë Ndërtimor, që ti vërë vulën, o shembet o nuk shembet” thonë ata.
Problemet e banorëve me pallatin janë denoncuar në prokurori dhe gjykatë. Një banore, Sabie Gega, ka paditur në gjykatë ndërtuesin. Gjykata e Krujës ka urdhëruar kryerjen e një akti ekspertimi, ku thuhet se në apartament ka çarje, përmasat e apartamentit nuk janë njësoj si në akt marrëveshje. Në fund, gjykata ka urdhëruar ndërtuesin ti kthejë shumën për blerjen e apartamentit, 30 milionë lekë të vjetra. Apeli dhe Gjykata e Lartë kanë lënë në fuqi këtë vendim. Por, çuditërisht, Gjykata e Krujës ka rrëzuar vendimin e Gjykatës së Lartë, duke pezulluar ekzekutimin e këtij vendimi.
Pas ankesave, gazetarët e Fiks Fare, shkuan në Bashkinë e Krujës. Drini Masha, përgjegjës i Marrëdhënies me Mediat dhe Qytetarët, thotë se aktualisht bashkia ka bërë një vlerësim paraprak për pallatin, i cili “është përkohësisht i pabanueshëm”. Sipas tij, mbi vlerësimin përfundimtar do rivlerësohen edhe njëherë për të certifikuar edhe njëherë pallatin. Ai thotë se në pallat kanë shkuar edhe ekspertë të huaj që kanë rekomanduar se godina është e pabanueshme. Bashkia e Krujës na vuri në dispozicion lejen e ndërtimit. Sipas dokumenteve, leja është dhënë në vitin 2010 për bodrum dhe njësi shërbimi 4 kat. Pra, vetëm 5 kate! Ndërkohë, në këtë dokument tjetër, KRRT e Bashkisë Krujë ka zbardhur këtë leje ndërtimi. Në të nuk është përcaktuar intensiteti sizmik i sheshit të ndërtimit. Ndërtimi duhet të përfundonte në vitin 2011. Por, në vend që të bëhej 5 kate, u bë 9 kate. Dhe, sipërfaqja e ndërtimit u dyfishua!
Fiks Fare u interesua edhe në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës në Krujë. Kjo agjenci i vuri në dispozicion gazetarëve të Fiks Fare të gjithë dosjen. Sipas këtyre dokumenteve, ish-zyra e ALUIZNIT ka legalizuar të gjithë godinën 9 katëshe. Në dosje është edhe një akt kolaudimi, ku thuhet se ka pasur një leje ndërtimi, por ajo nuk është zbatuar. Leja e ndërtimit ka qenë për 376 metra katrorë, ndërkohë ndërtimi është 648 metra katrorë. Por, edhe ky ndryshim, nuk e ka penguar bashkinë që të japë dokumente dhe ALUIZNIN që ta legalizojë. Pasojat e këtyre veprimeve dolën në “dritë” vetëm pas tërmetit të 26 nëntorit. problemet e denoncuara për vite me radhë, u faktuan nga natyra!
Top Channel