Monika Kryemadhi, kryetare e Lëvizjes Socialiste për Integrim, bën një pasqyrë të gjendjes ku ndodhet sot Shqipëria, 30 vite pas rënies së murit të Berlinit. Ajo thekson se edhe pse kanë kaluar tre dekada, vendi ynë ndodhet në të njëjtin stad.
“Demokracia false është më e rrezikshme se diktatura. Sot Shqipëria i “përmbush” të gjitha kriteret për të qenë e tillë”, shkruan kryetarja e LSI.
Kryemadhi e vendos theksin edhe te nevoja e një sistemi drejtësie të pakapur dhe të barabartë për të gjithë.
“Ne kemi nevojë për një sistem drejtësie të pakapur. Anëtarët e saj duhet të jenë kredibël. Dy standardet e përdorura nga organet e vetingut janë të dukshme. Ne kemi nevojë për besim te sistemi, i cili duhet të ngrihet mbi barazinë dhe jo mbi pabarazinë e gjykimit”, shkruan Kryemadhi.
Reagimi i plotë
SHQIPËRIA 30 VITE PAS RËNIES SË MURIT TË BERLINIT
Tridhjetë vite më parë ra Muri i Berlinit. Flladi i lirisë dhe drita e shpresës filluan të përshkonin të gjithë ata vende, ku mbi dyzet vite mbizotëronin diktaturat komuniste. Ishte koha ku rinia po ngrihej kundër diktaturave, në protesta madhështore, duke kërkuar ndryshimin e sistemit diktatorial dhe vendosjen e demokracisë.
Ata kërkonin të zëvendësonin votimet pa kandidatë të komunizmit, me zgjedhjet e lira, ku gara elektorale të garantohej nga ligji dhe vullneti i qytetarëve dhe jo nga pushteti dhe dhuna, apo nga intimidimi i zgjedhësve nëpërmjet levave të pushtetit. Ku fati i qeverisjes të ishte pronë e qytetarëve dhe jo qytetarët dhe fati i tyre të ishin pronë e autokratëve.
Ata donin një drejtësi të barabartë për të gjithë, jo një sistem drejtësie që godiste kundërshtarët politikë nëpërmjet makinacionesh dhe falsifikimesh, ndërsa autokratët dhe shërbëtorët e tyre ishin të garantuar, që nuk do të gjykoheshin për krimet e tyre.
Ishte një kohë, kur rinia kërkonte një treg të lirë, mundësi të barabarta për të gjithë në arsim, punësim dhe kujdes shëndetësor.
Ata kërkonin që komunizmi dhe praktikat e tij të luftës së klasave të merrnin fund njëherë e përgjithmonë.
Ata donin që mediat të ishin të pavarura dhe jo nën kontrollin e plotë të pushtetit dhe të përdoreshin si “top” për kundërshtarët politikë.
Ata kërkonin të garantohej fjala e lirë dhe jo të dënoheshin dhe burgoseshin për të.
Ishin vetë të rinjtë, qytetarët, intelektualët, disidentët e kombeve, që sollën ndryshimin. Ashtu siç deklaroi ish presidenti amerikan, George H. Ë. Bush, në Berlin me rastin e 20 vjetorit të përkujtimit të kësaj ngjarjeje historike: “Ngjarjet historike, për të cilat jemi mbledhur t’i shënojmë këtu, nuk u vunë në veprim në Bon, Moskë apo në Uashington, por ato ishin mbi të gjitha në zemrat dhe mendjet e njerëzve, të atyre që për një kohë të gjatë iu ishin mohuar të drejtat e dhëna nga Zoti”.
Sot tridhjetë vite pas rënies së Murit të Berlinit, Shqipëria fatkeqësisht gjendet thuajse në të njëjtin stad.
Zgjedhjet e përgjithshme të qershorit të vitit 2017, ishin një rrënim për demokracinë. Ato u kthyen në shfaqjen më të turpshme të pushtetit. Dhuna shetërore, policia e angazhuar krah pushtetit, kërcënimet, frikësimet dhe intimidimet e zgjedhësve, iu shtua edhe bashkëpunimi i grupeve të krimit të organizuar dhe angazhimi total i oligarkëve në deformimin e vullnetit të qytetarëve. Ndërsa zgjedhjet lokale të vitit 2019 patën një “hop” cilësor. Ato u zhvilluan pa opozitën. Të tilla zgjedhje me opozitë të emëruar, as Ramiz Alia nuk i zhvilloi, në shkurt të 1991. Përkundrazi i shtyu, me gati dy muaj, për të mundësuar pjesmarrjen e opozitës reale.
Sot zgjedhjet në Shqipëri janë në kushte edhe më të vështira për opozitën, se në 1991!
Drejtësi të barabartë për të gjithë?!
Ne kemi nevojë për një sistem drejtësie të pakapur. Anëtarët e saj duhet të jenë kredibël. Dy standardet e përdorura nga organet e vetingut janë të dukshme. Ne kemi nevojë për besim te sistemi, i cili duhet të ngrihet mbi barazinë dhe jo mbi pabarazinë e gjykimit.
Prokuroria nuk duhet të jetë një lodër në duart e pushtetit dhe të politikës. Që arreston dhe hap çështje penale për qytetarët, që protestojnë për të drejtat e tyre, si në rastin e Unazës së Re, ndërsa qeveritarët e korruptuar, shijojnë purot dhe verat e shtrenjta nën shoqërinë e oligarkëve.
Tregu i lirë dhe gara e barabartë e biznesve është kthyer në një përrallë, këto vitet e “shkëlqimit” të PPP-ve pa garë dhe super korruptive, të rrugëve, të shëndetësisë apo të incineratorëve. Mbi 1 miliard euro nga taksapaguesit shqiptarë shkojnë në një dorë oligarkësh të lidhur ngushtë me pushtetin.Mbi 60% e tenderave zhvillohet pa garues, pa konkurrencë. Ato i rrëmbejnë firmat e oborrit kryeministror apo të kryetarit të bashkisë së Tiranës. Si në rastin skandaloz të firmës Fusha me ligjin antikushtetues të “Teatrit”. Një njollë e madhe turpi, mbi fytyrën e Ramës dhe Veliajt.
Fjala e lirë dhe media e pavarur janë më të rrezikuara se asnjëherë më pare, në këto tridhjetë vite tranzicion. Televizionet kombëtare janë kthyer në shërbëtorë të paturpë të pushtetit. Mediat e tjera vizive janë nën kërcënimin e vazhdueshëm si “miqësor” të anturazhit të Ramës, ashtu dhe tatimeve apo inspektoriateve të tjera të qeverisë. Lufta më e egër, që sot zhvillojnë rilindasit është ajo ndaj mediave të pakapura dhe të pavaruara.
Demokracia false është më e rrezikshme se diktatura. Sot Shqipëria i “përmbush” të gjitha kriteret për të qenë e tillë.
Ndaj si opozitë e bashkuar, por edhe si qytetarë të këtij vendi, na lind si detyrë parësore garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Vetëm përmes tyre, ne do të garantojmë ndryshimin e këtij sistemi të demokracisë false.
Vetëm përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme do të garantojmë një shtet ku qytetari është i pari.
Vetëm përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme do garantohet liria ekonomike dhe barazia e tregut.
Vetëm përmes fuqisë së votës së lirë do të garantojmë edhe lirinë e mediave dhe garantimin e fjalës së lirë.
Vetëm përmes zgjedhjeve të lira dhe të barabarta do i bëjmë të gjithë qytetarët shqiptarë, ta ndjejnë veten në Zot në shtëpinë e tyre, në Shqipëri.
Top Channel