Me moton “Sill një libër merr një tjetër”, sot u hap mini-biblioteka e parë në parkun e vjetër, në lagjen “Dardania” të Prishtinës, e cila u mundësua nga ETEA, Kuvendi i të Rinjve të Prishtinës, Libraria “Dukagjini” dhe FIQ.
Mini-biblioteka do të ketë qasje 24 orë në 7 ditë të javës dhe do të jetë nën kujdesin e banorëve të lagjes. 100 libra do jenë në dispozicion të banorëve të lagjes dhe të të gjithë të interesuarve për shkëmbim të librave apo huazim të librit përgjatë qëndrimit në lagje.
Drejtori i organizatës ETEA, Agon Ahmeti tha se ETEA është iniciator e projektit për mini-biblioteka në lagjet e komunës së Prishtinës dhe shpreson që edhe lagjet e tjera së shpejti do të bëhen me mini-biblioteka të tilla.
“Projektin e kemi patur në mendje që 2-3 vite më parë, por normalisht është dashur edhe bashkëpunimi i partnerëve të tjerë, qoftë organizata implementuese , qoftë si donator që në këtë rast kemi bashkëpunuar me forumin për iniciativa qytetare, burim financiar prej zyrës për Bashkim Evropian, ndërsa në partneritet kemi qenë me librarinë ‘Dukagjini’ dhe me Kuvendin e të Rinjve të Prishtinës. Këtë punë kemi filluar në muajin gusht, ku kemi zhvilluar një fushatë nëpër lagjet përfituese dhe fillimisht kemi kërkuar bashkëpunim nga qytetarët e lagjeve, qoftë me ndarjen e ndonjë libri për mini-biblioteka, apo edhe në kontribute financiare”, tha Ahmeti.
Top Channel