Nga Daniel McLaughlin, The Irish Times

Gjatë kohës së vuajtjes së dënimit prej shtatë vitesh, tre muajsh e dhjetë ditësh me punë të detyruar në Shqipërinë komuniste, artistit dhe arkitektit Maks Velo iu kërkua të bashkëpunonte me sigurimin.

“Unë refuzova dhe ata më thanë se kështu do të vdisja”, thotë Velo, i cili pas lirimit nga burgu famëkeq i Spaçit në vitin 1986 u dërgua të punonte pikërisht në një fabrikë të kryeqytetit, në Tiranë. “Kur u lirova nuk donte të më fliste askush”, kujton Velo, i dënuar për agjitacion e propagandë, nën regjimin e Enver Hoxhës, diktatorit që gjatë 40 viteve në pushtet e ktheu Shqipërinë në një nga vendet më shtypës e të egër në botë.

Një ditë, pak pas lirimit, në qendër të Tiranës, Velo rastis të shohë Ismail dhe Elena Kadarenë. Ai kish qenë mik i ngushtë me shkrimtarin e mirënjohur dhe të shoqen, përpara se të dënohej nga regjimi paranojak. “Bëra sikur s’i pashë, por Ismaili më thirri, “O Maksi” dhe më ftuan në apartamentin e tyre po atë mbrëmje”.

Duhet të ketë qenë një ritakim i çuditshëm. Velo kishte projektuar ndërtesën dhe apartamentin ku jetonte çifti, në të njëjtin vit, 1971, kur Kadare publikoi romanin e mirëpritur nën titullin e sygjeruar nga vetë Velo: Kronikë në Gur.

Tendencat “moderne” të artit dhe arkitekturës së Velos u përmendën si fakte gjatë gjyqit në vitin 1978. Patjetër që detajet elegante që kishte shtuar në apartamentin e mikut të tij, duke ngjallur jo pak zili mes kolegësh, i rënduan edhe më tepër rrethanat. “Pse s’ka apartamenti im dyer si të Kadaresë?”, pyeste Velon një zyrtar i lartë, që banonte në të njëjtin pallat elitar me shkrimtarin.

“Tirana ka shumë fantazma”, thotë Velo, që në moshën 84-vjeçare vijon ende të pikturojë dhe çdo mëngjes shëtit në qytetin që, pas dekadash izolimi, po përjeton ndryshime aq të mëdha e të shpejta sa do të kishin tmerruar vetë Hoxhën, i cili vdiq në 1985.

Baret e Kafenetë

Apartamenti i Kadaresë, përpara se ai të zhvendosej në Paris në 1990, tani është shndërruar në muze, njësoj si Shtëpia e Gjetheve, e cila ishte epiqendra e rrjetit masiv të agjentëve të sigurimit të shpërbërë në vitin 1991.

Dy prej 170,000 bunkerëve të ndërtuar nga Hoxha për t’u bërë ballë pushtuesve potencialë, janë kthyer sot në muze e hapësira artistike. Ndërkohë, Piramida prej xhami e betoni e ndërtuar për nder të diktatorit, do të shndërrohet në një qendër edukimi e inovacioni digjital. Zona e Bllokut, ku Hoxha e bashkëpunëtorët e tij të ngushtë jetonin të veçuar e të mbrojtur nga pjesa tjetër e popullit, është sot një hapësirë plot bare e kafene dhe sipas kryebashkiakut Erion Veliaj, një pjesë e vilës së diktatorit do të shërbejë si rezidencë për artistë.

“As nuk e lëvdojmë e as nuk e harrojmë, por mundohemi të bashkëjetojmë me të”, thotë kryetari për qëndrimin e administratës karshi të shkuarës komuniste. “Ndërkohë që kujtojmë të shkuarën, duhet të mendojmë për të ardhmen”.

Që nga ardhja në detyrë në 2015, Veliaj, 39 vjeçar, ka shndërruar sheshin Skënderbej në hapësirë pedonale dhe është munduar të lehtësojë zhvillimin kaotik të qytetit me korsi biçikletash, parqe lojrash, dhe mijëra pemë të reja. Me mbështetjen e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama – i cili transformoi ndërtesat gri e të rrënuara në kanavacë ngjyrash e muralesh, kur vetë ishte kryetar bashkie në 2000-2011 – Veliaj ka tërhequr arkitektë me famë botërore në projektet e qytetit.

“Tirana po kalon një fazë eksperimenti”, thotë Veliaj, ndërkohë që ndodhemi në tarracën e gjelbër të bashkisë, nga ku shohim ndërtesat përreth sheshit Skënderbej, që përfaqësojnë periudhat e Osmanëve, Italianëve, Sovjetikëve dhe Kinezëve. “Ka qenë një punë sa e bukur e interesante, po aq e vështirë dhe e debatuar. Të gjithë e duan ndryshimin, por asnjëri nuk do të ndryshojë vetë i pari”.

Kundërshtarët më të egër ndaj projekteve madhështore të Ramës e Veliajt janë përqendruar së fundmi rreth Teatrit Kombëtar, as 100m larg zyrës së Kryetarit të Bashkisë. Prej më shumë se një viti e gjysmë, protesta e drejtuar nga aktorë e regjisorë ka kërkuar që qeveria të heqë dorë nga planet për një teatër të ri. Teatri aktual u ndërtua në 1939 pas pushtimit fashist të Italisë së Musolinit.

Trashëgimia Kulturore

Që prej korrikut, kur menduan se do të fillonte shembja e teatrit, protestuesit bëjnë roje 24 orë në mbrojtje të atij që e quajnë një objekt të pazëvendësueshëm të trashëgimisë kulturore. “Mund ta ndërtojnë kudo tjetër një teatër të ri. Përse këtu?” thotë regjisori Robert Budina. “Ky vend ka shumë histori,” shton Neritan Liçaj, prej 28 vitesh aktor në Teatrin Kombëtar. “Të gjitha institucionet artistike lindën prej këndej: opera dhe baleti, galeria e parë e artit, filarmonia e shtetit, akademia e arteve – kjo është pronë publike”.

Pedagoge dhe ish ministre e Arsimit, Mirela Karabina thotë se ruajtja 24 orëshe është “luftë për demokraci”. “Kjo është e para protestë e këtij lloji në Shqipëri. Ne jemi këtu për të ndërtuar demokracinë dhe për t’u treguar qytetarëve që nëse diçka nuk shkon, duhet të reagojmë”.

Qeveria thotë se ndërtesa është jo vetëm jashtë kohe, por tërësisht e pashpresë për t’u riparuar. Në vend të saj planifikohet të ndërtohet një teatër i fjalës së fundit, i projektuar nga grupi danez i të famshmit Bjarke Ingels, me një kosto prej 30 milion euro, të mbuluara tërësisht nga investitori, të cilit do t’i jepet leje për të ndërtuar një bllok banesash e zyrash në tokën ngjitur.

Qeveria po përdor të njëjtin instrument partneriteti publik-privat si në rastin e stadiumit të ri në Tiranë, ku kulla bashkangjitur stadiumit do të jetë një hotel luksoz. “Tani kemi një stadium kombëtar me vlerë 70 milion Euro dhe e gjitha pa shpenzuar asnjë qindarkë nga taksapaguesit,” thotë Veliaj. “Nëse do të kishim qenë Londra apo Parisi do të mund ta përballonim faturën e një investimi të tillë, por s’jemi. Njerëzit duan cilësi Londre e Parisi me taksa Tirane”.

Megjithatë, kritikët thonë se kostoja nuk është problemi kryesor. Ata akuzojnë autoritetet për injorim të opinionit publik sa herë që bëhet fjalë për të tilla skema, për shkeljen e rregullave me qëllim favorizimi dhe për mundësinë që i japin parave të dyshimta për të depërtuar në industrinë e ndërtimit. “Tirana është kthyer në një lanvaderi për milionat e krimit e të drogës”, thotë Lulzim Basha, kryetar i Partisë Demokratike në opozitë. “Nuk ka fizibilitet ekonomik për të gjitha këto kulla që po ndërtohen… Kjo është një provë e dukshme se si krimi i organizuar po depërton në ekonominë tonë”.

Çështja e korrupsionit

Velo e përshkruan si të “tmerrshëm” planin e teatrit të ri dhe bashkë me kolegë të tjerë arkitektë kanë firmosur kundër ndërtimit të tij. “Gjëja që më mahnit më shumë këtu është fuqia e hajdutëve”, thotë ai. “Duhet të ndërrojmë pasaportat dhe të themi se vijmë nga shpella e Ali Babës”.

Shtetet e BE cituan shqetësimet e tyre në lidhje me krimin e korrupsionin muajin e shkuar, kur refuzuan hapjen e negociatave me Shqipërinë, por Veliaj këmbëngul që teatri dhe projektet e tjera janë të pastra dhe do t’u bëjnë ballë kundërshtarëve kronikë dhe atyre politikë.

“Ky është objekti i fundit pas të cilit mund të kacavirren për të luftuar. Kur ta humbasin edhe këtë do të hyjnë në histori jo vetëm si ata që nuk bënë asgjë kur e patën qytetin në dorë, por bënë çdo gjë që të pengonin edhe të tjërët, edhe pasi e humbën mundësinë e tyre”, thotë ai për demokratët.

“Unë i pëlqej shumë debatet, por në të njëjtën kohë, e kuptoj kur është koha për të marrë vendime… Teatri do të fillojë të ndërtohet vitin e ardhshëm”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA