Kryeministri i Kosovës në detyrë, Ramush Haradinaj, ka kërkuar tërheqjen e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë (INTERPOL) dhe shtyrjen e kësaj kërkese për vitin e ardhshëm.
“Duke marrë parasysh rrethanat e krijuara, bazuara në kompetencat si Kryeministër në detyrë, sot kam kërkuar shtyrjen e votimit të Kosovës për anëtarësim në INTERPOL, për vitin e ardhshëm”, ka thënë zëdhënësja e qeverisë së Kosovës në largim, Donjeta Gashi.
Kosova kishte aplikuar për pranim në INTERPOL në janar të këtij viti dhe kërkesa e saj ishte pranuar nga Komitetit Ekzekutiv i Interpolit.
Kosova edhe këtë vit ritentoi anëtarësimin në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë (INTERPOL), Asambleja e Përgjithshme e së cilës, mban punimet nga 15 deri më 18 tetor në Kili.
Organizatorët, i kanë dërguar madje edhe ftesat për zyrtarët e Kosovës, për pjesmarrje në takimin vjetor të 88 vendeve të kësaj organizate. Megjithatë, zyrtarët e zyrës së ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës në largim, Behgjet Pacolli, nuk kanë dhënë ende deklarata mbi përgatitjet dhe shanset që ka Kosova momentalisht për tu anëtarësuar në INTERPOL.
Serbia ka bërë një fushatë intensive kundër anëtarësimit të Kosovës në Interpol, që pas përsëritjes së kërkesës nga Kosova në janar të këtij viti. Dhe kjo ishte edhe një nga shkaqet që çoi qeverinë e Kosovës të vendoste taksën e debatuar 100 për qind mbi mallrat serbe.
Kosova tenton të anëtarësohet në INTERPOL që nga 2010 me aplikime të përsëritura disa herë, por pa mundur të sigurojë mbështetje të mjaftueshme.
Top Channel